Shkruar nga Endri ÇINARI
E enjtja pritet të jetë një ditë e rëndësishme në merkaton e Vllaznisë. Klubi shkodran është gati të zyrtarizojë dy afrime të tjera, duke vijuar plotësimin e organikës në prag të startit të kampionatit të ri. Drejtuesit kuqeblu po lëvizin me ritme të shpejta, ndërsa trajneri Edi Martini po sheh çdo ditë e më shumë të marrë formë skuadrën që do të synojë objektivat e sezonit.
Ashtu siç konfirmoi edhe zv.trajneri Ergi Borshi, mesfushori Adnard Mehmeti pritet të mbërrijë sot në Shkodër për të finalizuar gjithçka dhe për t’u prezantuar zyrtarisht si futbollisti më i ri i Vllaznisë. 25-vjeçari konsiderohet një element i rëndësishëm për repartin e mesfushës, aty ku kuqeblutë kërkonin prej kohësh një lojtar me cilësi në organizimin e lojës dhe ndërtimin e aksioneve.
Megjithatë, Mehmeti nuk pritet të jetë i vetmi emër i ri. Gjatë ditës së sotme në Shkodër pritet edhe mbrojtësi nga Haiti, Francois Dulysse, i cili gjithashtu është pranë zyrtarizimit me Vllazninë. Afrimi i tij do t’i japë më shumë siguri repartit difensiv, ndërsa stafi teknik beson se eksperienca dhe karakteristikat e mbrojtësit do të rrisin konkurrencën në prapavijë.
Me këto dy afrime, Vllaznia vazhdon të kompletohet nga dita në ditë. Pas përforcimeve të bëra në repartet e mbrojtjes dhe mesfushës, drejtuesit kuqeblu po afrohen gjithnjë e më shumë me ndërtimin e skuadrës që Martini dëshiron të ketë në dispozicion për nisjen e kampionatit. Puna në merkato mbetet intensive, ndërsa objektivi është që grupi të jetë sa më i plotë dhe i konsoliduar përpara sfidave zyrtare të sezonit të ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


