Shkruar nga Gjergj KOLA
Mëngjesin e sotëm atletika shkodrane dhe shqiptare ka marrë një lajm të keq. Ish- atleti i Vllaznisë Asim Mujaxhi (Osmani) është ndarë nga jeta në moshën 87 vjeçare. Sigurisht që kjo është një humbje e madhe për familjen e tij, por edhe për sportin shkodran sepse kemi patur të bëjmë me një emvr shumë të nderuar të tij.
Asimi ka lindur më 16 shtator 1938 në Podgoricë dhe pas disa vitesh familja e tij do të vendosej në Shkodër, aty ku ai zgjedh të merret me sport dhe konkretisht me atletikë. Duke qenë se kishte aftësi shumë të mira fizike, trajnerët e përdornin atë në gara të ndryshme ku gjithmonë spikaste.
Jo më kot, me kalimin e viteve, Asim Mujaxhi do të bëhej pjesë e shumëgarëshit duke arritur të shpallet edhe kampion i Shqipërisë dhe një nga atletët më të mirë të vendit. Njëkohësisht ishte një shembull frymëzimi edhe për atletët më të rinj si Gëzim Mema, Vildan Tufi, Isak Bala, Nazmi Kryeziu etj.
Karriera e tij do të zgjate në vitet ’50- ’60 duke qenë gjithmonë në nivele të larta dhe ndërkohë pas lënies së sportit Asimi për 3-4 vite do të ushtronte edhe detyrën e trajnerit të ekipeve zinxhir të Vllaznisë, duke lënë edhe aty një emër shumë të mirë.
Dy vite më parë, gjatë një ceremonie të zhvilluar në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, Bashkia Shkodër dhe Shoqata e Atletikës Vllaznia e nderuan me “Mirënjohje” për kontributin shumë të madh të dhënë për këtë sport në vite. Një vlerësim që e bëri Asimin të ndjehej vërtetë mirë sepse më në fund u kujtuan për ta nderuar dhe për t’i thënë Faleminderit për atë se çfarë ai i kishte dhënë atletikës.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të jetë nesër (e premte) në orën 12:30. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mujaxhi për humbjen e njeriut të saj të dashur dhe njëkohësisht edhe komunitetit të atletikës shkodrane për ndarjen nga jeta të një pjestari dinjitoz të tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


