Shkarkimi i Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të Real Madridi i ka dhënë klubit më shumë shpresë për rinovimin e kontratës së Vinicius Jr.
Presidenti Florentino Perez dhe drejtuesit e tjerë e shohin atë si një element qendror për të ardhmen e klubit.
Braziliani kishte një marrëdhënie të tensionuar me ish-trajnerin, dhe largimi i legjendës së klubit hapi rrugën për bisedime më produktive. Tani, sipas asaj që raporton MARCA, e ardhmja e lojtarit vazhdon të mbetet në një zonë gri. Edhe pse situata është më e qartë se më parë, faktorë të rinj po shfaqen në këtë sagë.
Sipas medias spanjolle, Vinicius gëzon mbështetjen e klubit dhe të trajnerit Alvaro Arbeloa, i cili e ka bërë shumë të qartë admirimin e tij për brazilianin në konferencat e para për shtyp.
Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet e paqartë për një sërë arsyesh, më e madhja prej të cilave është hendeku i dukshëm mes kërkesave të tij për pagë dhe asaj që klubi është i gatshëm t’i ofrojë. Bisedimet janë ende të bllokuara dhe asnjëra palë nuk duket e gatshme të bëjë kompromis.
Për më tepër, tensionet e fundit mes tifozëve të Real Madridit dhe lojtarit kanë pasur një ndikim të madh, dhe ai nuk ndihet më aq i dashur në klub sa më parë. Në fakt, ai është fishkëllyer në “Santiago Bernabéu” në disa ndeshje radhazi.
Tensionet janë kryesisht për shkak të sjelljes së tij, të cilën tifozët nuk e shohin me sy të mirë. Kjo marrëdhënie duket e pariparueshme, duke e lënë të ardhmen e tij në pikëpyetje. Duke pasur parasysh se Vinicius ka qenë larg formës së tij më të mirë kohët e fundit, do të duhet të lodhet shumë që të rikthejë sërish vlerësimin e tifozëve madrilenë.


