Besëlidhja vijon përgatitjet për startin e fazës së dytë të kampionatit, me objektivin e qartë për të ruajtur kryesimin në Grupin A dhe për ta mbyllur sezonin me ngjitjen direkte në Kategorinë e Parë. Paralelisht me punën intensive në fushë, drejtuesit lezhjanë po lëvizin edhe në merkato, ku së fundmi janë regjistruar ndryshime të rëndësishme në repartin ofensiv.
Nga Besëlidhja është larguar sulmuesi me eksperiencë Spartak Ajazi. Lajmi është konfirmuar nga të dyja palët. Ndarja ka ardhur në mirëkuptim dhe e shoqëruar me falënderime reciproke. Klubi lezhjan e ka zyrtarizuar largimin përmes një njoftimi në rrjetet sociale: “Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me futbollistin Spartak Ajazi. E falënderojmë për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së tij me fanellën tonë, duke i uruar suksese të mëtejshme në karrierën sportive”.
Flavio Fusha
Në të njëjtën kohë, Besëlidhja ka siguruar shërbimet e një lojtari të ri nga Shkodra. Bëhet fjalë për Flavio Fushën, sulmuesin 17-vjeçar, i cili nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Një nga elementët më premtues të akademisë kuqeblu, Fusha ka mbyllur bashkëpunimin me klubin shkodran dhe ka zgjedhur të vazhdojë karrierën te Besëlidhja. Pavarësisht paraqitjeve pozitive me grupmoshat e Vllaznisë dhe ekipin B, ku është dalluar për gola, vazhdimësi dhe progres të dukshëm, sulmuesi i ri nuk arriti të fitonte një mundësi konkrete për t’u afruar me ekipin e parë.
Kjo situatë çoi palët drejt ndarjes, me lojtarin që vendosi të nisë një etapë të re në një ambient ku pritet të ketë më shumë hapësira dhe minuta në dispozicion. I gjatë 1.94 metra dhe me profil tipik “numër 9”, Flavio Fusha konsiderohet një sulmues me potencial të lartë për të ardhmen. Te Besëlidhja, ai pritet të rritet gradualisht dhe të japë kontributin e tij në objektivin madhor të skuadrës për këtë sezon. Largimi i Fushës nga Vllaznia rihap edhe një herë diskutimin mbi menaxhimin e talenteve të akademisë dhe kalimin e tyre tek ekipi i pare. Për Besëlidhjen, afrimi i tij shihet si një investim për të tashmen dhe të ardhmen, në një moment vendimtar të sezonit.


