Vllaznia e basketbollit të meshkujve duket e vendosur për të konkurruar deri në fund për titullin kampion dhe pikërisht për këtë arsye drejtuesit e saj vijojnë përpjekjet për ta plotësuar skuadrën me lojtarë cilësorë. Si rrjedhojë, një tjetër lojtar i është bashkuar asaj ditët e fundit.
Lajmi bëhet i ditur nga vetë Shoqata e Basketbollit Vllaznia e cila përmes një postimi në faqen e saj zyrtare shkruan:
“Jayden Hibbitt është afrimi më i ri i Vllaznisë. Lojtari do të bëjë debutimin e tij nesër në ndeshjen kundër Apolonisë. Mirë se erdhe dhe suksese!”
Gazeta mëson se Hibbitt është 21 vjeç, vjen nga Kanadaja, por karrierën e tij të deritanishme e ka patur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë është vënë në dispozicion të trajnerit Eni Llazani duke shpresuar të japë më të mirën e tij që Vllaznia të arrijë objektivat e saj.


