Këtë javë, Partizani luan në transfertë ndaj Vllaznisë me të kuqtë që në fazën e parë pësuan një disfatë të thellë me shifrat 4-1 në Shkodër. Në fakt, stadiumi “Loro Boriçi” dhe transferta në Shkodër duket se është kthyer në një “makth” për kryeqytetasit duke qenë se fitorja e fundit në “fortesën” e kuqebluve daton më shtatë tetor të vitit 2022, sezon në të cilin në fund “Demat u Kuq” u shpallën kampionë me trajnerin Xhovani Kolela.
Në atë periudhë, Partizani fitonte me shifrat 2-1 ndaj Vllaznisë me ishin Viktor Da Silvan dhe Xhuljano Skukën që përmbysnin golin e shënuar nga Ardit Hoxhaj në pjesën e parë. Që nga ajo përballje, në “Loro Boriçi” janë zhvilluar edhe shtatë ndeshje të tjera me kuqeblutë që kanë fituar në tre prej tyre, ndërsa katër të tjera janë mbyllur në barazim, ku vlen të veçohet barazimi emocionues 2-2, teksa Kristian Mba me dopietën e tij i dhuroi Partizanit një pikë të çmuar në limitet e takimit. Nëse thellohemi edhe më shumë në statistika, atëherë sërish del në pah sa shumë vuajnë 17- herë kampionët e Shqipërisë në Shkodër.
Kjo pasi nga tetori i vitit 2019, në Shkodër mes Vllaznisë dhe Partizanit janë zhvilluar plot 15 ndeshje, me të kuqtë që kanë fituar në vetëm dy raste, teksa gjashtë sfida janë fituar nga vendasit ndërsa shtatë ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim. Ndërkohë, shkodranët kanë dominuar në dy ndeshjet e fundit shtëpiake ndaj Partizanit duke i fituar të dyja me shifrat 2-0 dhe 4-1. Megjithatë, secila ndeshje është një histori më vete dhe Partizani do të tentojë të kthejë faqen për të ndryshuar statistikat negative.
Për më tepër, kjo do të jetë edhe hera e parë e trajnerit Oltijon Kërnaja në shkodër në drejtimin e të kuqve, e që mund të sjellë ndonjë ndryshim në mënyrën e interpretimit të ndeshjeve nga herët e fundit. Në ndeshjen e fazës së dytë, Partizani dhe tekniku 37-vjeçar ndalën vrullin e kuqebluve dhe do të tentojnë ta bëjnë sërish e të përsërisin këtë skenar, pse jo për të marrë edhe maksimumin e pikëve.
Partizani, kërkon që të jetë i përfshirë deri në fundin e kampionatit për zonën e “Final Four”, dhe sfida me Vllazninë është mjaft e rëndësishme pasi bëhet fjalë për një kundërshtar direkt dhe që po ashtu synon top katërshen. Aktualisht, Vllaznia mban vendin e tretë në kampionat me 36 pikë ndërsa Partizani me dhjetë pikë më pak mban vendin e pestë. Të dyja skuadrat synojnë maksimumin dhe vijnë me moralin pas fitoreve respektive ndaj Dinamos dhe Teutës.


