Javier Zanetti është Interi po aq sa Interi është Javier Zanetti. Nga vera e vitit 1995 e deri më sot, fillimisht si lojtar, më pas kapiten dhe tashmë zëvendëspresident, argjentinasi ka qenë një pikë referimi absolute për klubin zikaltër. Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Zanetti ka rrëfyer episode, emocione dhe reflektime mbi rrugëtimin e tij të gjatë në Milano.
Ai rikthehet te momenti i mbërritjes së tij, kur u transferua bashkë me Sebastian Rambert: “Gazetarët nuk më konsideruan fare, isha si shoqëruesi i tij”. Por historia shkroi të kundërtën. Zanetti u kthye në simbol të Interit: “Kam shfrytëzuar një mundësi dhe kam punuar fort. Statusi nuk më intereson. Pas tërheqjes, kam studiuar dhe vazhdoj të përditësohem. Këtë u them edhe të rinjve”.
I pyetur për raportet me tifozët, Zanetti ka qenë i qartë: “Gjithmonë kam pasur marrëdhënie normale. Video, selfie, autografe, por me respekt të plotë të roleve. Ka një vijë që nuk duhet kaluar dhe unë kam qëndruar gjithmonë në anën e duhur”.
Mes presidentëve dhe trajnerëve, Massimo Moratti mbetet “familje”, ndërsa José Mourinho përshkruhet si i paharrueshëm. Një vend të veçantë ka edhe Gigi Simoni, të cilin Zanetti e quan “si një baba”. Pastaj vijnë kujtimet më njerëzore: “Ronaldo ishte i jashtëzakonshëm edhe jashtë fushës. Një herë ndaloi një avion për të na pritur pas një ndeshjeje. Sa për Baggion, ishte një kampion i madh dhe njeri bujar. Pas grabitjes që pësoi, e kam parë të qajë”.
Në fund, Zanetti flet me vlerësim për Cristian Chivu: “Njeri shumë inteligjent, i përgatitur dhe motivues. Kërkon gjithmonë performancën. Me Atletico-n dhe Liverpool-in do ta kishim merituar diçka më shumë”.


