Intervistoi: Engjëll GJOLAJ
Aurel Locaj është një përgatitës atletik i njohur në futbollin shqiptar, i vlerësuar për profesionalizmin dhe qasjen e tij moderne në përgatitjen fizike dhe koordinative të sportistëve. Gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e ekipeve si Laçi dhe Erzeni, ndërsa për dy sezone radhazi ka ushtruar detyrën e përgatitësit atletik te Vllaznia. Paralelisht, Locaj ka ushtruar edhe rolin e trajnerit të përgatitjes atletike në Kombëtaren shqiptare U-19, duke kontribuar në zhvillimin e brezit të ri të futbollistëve
– Aurel, në një realitet ku shumica e profesionistëve ndjekin ofertën më të mirë financiare, ju keni zgjedhur të refuzoni disa klube të Superligës shqiptare, kosovare dhe maqedonase. Çfarë ju shtyu të merrni këtë vendim?
Vendimi nuk ishte thjesht profesional, por edhe personal. Një nga arsyet kryesore është fakti që këto ekipe janë larg, jo vetëm gjeografikisht, por edhe emocionalisht nga ajo që unë ndiej për futbollin. Dashuria për futbollin për mua është shumë e veçantë dhe nuk funksionon me ndarje apo kompromise. Kur krijon një lidhje të fortë me një klub, me një qytet dhe me njerëzit e tij, është e vështirë të ndihesh njësoj diku tjetër. Në fund të fundit, futbolli nuk është vetëm punë; është ndjenjë, përkushtim dhe identitet. Dhe kur e do vërtetë diçka, nuk mund ta shohësh me të njëjtin sy një tjetër alternativë.
– Sa e vështirë ishte të thoshit “jo” emrave si Bylis, Flamurtari, Malisheva, Ferizaj apo Struga dhe a pati ndonjë moment hezitimi?
Ishte e vështirë, sepse bëhet fjalë për klube serioze dhe oferta konkrete që çdo profesionist do t’i konsideronte. Por duke qenë se vendimi im ishte i lidhur drejtpërdrejt me atë që ndiej për futbollin dhe ambientin ku punoj, hezitimi zgjati pak. Kur ke qartësi për atë që do dhe ku ndihesh i plotësuar, refuzimi bëhet më shumë një akt korrektësie sesa një dilemë. Ishte një “jo” me respekt, por edhe me bindje.
– Çfarë përfaqësojnë për ju Vllaznia dhe Besëlidhja, që i bën të jenë mbi çdo ofertë tjetër?
Vllaznia dhe Besëlidhja për mua nuk janë thjesht klube futbolli, por ndjenja që lidhen me historinë, qytetin dhe njerëzit që i përfaqësojnë. Janë një dashuri e brendshme, e ndërtuar me kohë, respekt dhe përkushtim. Janë klube që i dua sinqerisht dhe ku ndihem pjesë e një familjeje sportive. Kur punon në një ambient ku ka identitet dhe pasion të vërtetë, motivimi vjen natyrshëm dhe puna merr një kuptim tjetër, shumë më të thellë se rezultati i momentit.
– A mendoni se besnikëria në futboll është një vlerë që po humbet, apo thjesht po bëhet gjithnjë e më e rrallë?
Futbolli sot është bërë shumë më dinamik dhe më i orientuar drejt rezultateve të shpejta, çka e bën besnikërinë më të vështirë për t’u ruajtur. Megjithatë, nuk mendoj se ajo ka humbur plotësisht. Besnikëria ekziston ende, por shfaqet në forma të tjera: në korrektësi, në respekt ndaj projekteve dhe në seriozitetin me të cilin e kryen punën. Të qëndrosh besnik sot është zgjedhje personale dhe kërkon bindje të fortë.
– Ju keni punuar me ekipe të ndryshme si Laçi, Erzeni dhe prej dy vitesh me Vllazninë. Çfarë ndryshimi keni vënë re në mentalitetin e lojtarëve gjatë këtyre eksperiencave?
Gjatë këtyre viteve kam vënë re një përmirësim jo vetëm në ndërgjegjësimin për përgatitjen fizike, por edhe për aspektet teknike dhe koordinative të lojës. Lojtarët sot janë më të hapur ndaj punës që lidhet me balancën, koordinimin, shpejtësinë e reagimit dhe kontrollin e trupit në situata loje. Megjithatë, ende ka nevojë për më shumë disiplinë dhe durim, sepse këto elemente nuk ndërtohen brenda natës, por kërkojnë vazhdimësi dhe punë të strukturuar.
– Sa e rëndësishme është figura e përgatitësit atletik në futbollin modern shqiptar dhe a mendoni se ky rol vlerësohet sa duhet?
Në futbollin modern, përgatitësi atletik nuk merret vetëm me vrapime apo forcë fizike, por me zhvillimin e plotë motorik të lojtarit. Ai ndikon drejtpërdrejt në koordinimin, stabilitetin, shpejtësinë e lëvizjes dhe aftësinë për të përballuar intensitetin e lojës. Në futbollin shqiptar ky rol po fiton rëndësi, por ende nuk vlerësohet në nivelin që meriton, sidomos kur flasim për lidhjen mes përgatitjes atletike dhe cilësisë teknike në fushë.
– Duke qenë edhe trajner i përgatitjes atletike në Kombëtaren U-19, çfarë potenciali shihni tek brezi i ri i futbollistëve shqiptarë?
Tek brezi i ri shoh potencial shumë të mirë fizik, por edhe bazë të mirë koordinative dhe teknike. Ka lojtarë që lëvizin mirë në fushë, kanë orientim të shpejtë trupor dhe reagim të mirë në situata loje. Sfida jonë është që këto cilësi të zhvillohen në mënyrë të kontrolluar, duke kombinuar përgatitjen atletike me punën teknike, pa e ngarkuar tej mase sportistin në moshë të re.
– A ka ndikuar puna me kombëtaren në mënyrën se si e shihni zhvillimin afatgjatë të lojtarëve në klub?
Puna me kombëtaren më ka bërë të kuptoj edhe më shumë rëndësinë e zhvillimit të balancuar të lojtarit, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë koordinativ e teknik. Të bën të mendosh për çdo detaj: mënyrën e lëvizjes, stabilitetin, ritmin dhe kontrollin e trupit gjatë gjithë karrierës së tij. Kjo qasje më ndihmon edhe në klub, duke e parë lojtarin si një projekt afatgjatë dhe jo thjesht si një zgjidhje momentale.
– Nëse do ta përkufizonit filozofinë tuaj të punës me tre fjalë, cilat do të ishin ato?
Disiplinë, sepse pa të nuk ndërtohet as forca dhe as koordinimi.
Vazhdimësi, sepse zhvillimi teknik dhe atletik kërkon kohë.
Profesionalizëm, sepse çdo detaj, sado i vogël, ndikon në performancën e sportistit.
– A ka një moment në karrierën tuaj kur keni ndjerë se po ndërtonit diçka më të madhe se thjesht rezultate sportive?
Po, ka momente që të mbeten në mendje më shumë se çdo rezultat. Kur sheh një lojtar që ka ardhur me probleme fizike apo mungesë besimi dhe, me kalimin e kohës, e sheh të lëvizë më lirshëm, më të koordinuar dhe më të sigurt në fushë, e ndjen se puna jote ka kuptim. Aty e kupton se nuk po punon vetëm për një ndeshje apo një sezon, por po ndikon realisht në karrierën dhe jetën sportive të një njeriu. Për mua, këto janë momentet që të mbajnë të lidhur fort me këtë profesion.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


