Pas barazimit të fundit përballë Vorës, Teuta vijon përgatitjet për sfidat e radhës në kampionat. Një nga pikat e forta të skuadrës durrsake këtë sezon ka qenë stabiliteti në repartin mbrojtës, ku rolin e mbrojtësit të majtë e mbulon Emiliano Vila.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vila flet për ndeshjen e fundit, duelin e ardhshëm ndaj Vllaznisë dhe përgjegjësitë e tij brenda ekipit, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe shpirtit të grupit.
Emiliano, Teuta u ndal në barazim përballë Vorës. Si e analizon këtë ndeshje?
Ishte një ndeshje e vështirë. Vora u mbrojt mirë dhe na e bëri të vështirë krijimin e rasteve të pastra. Ne dhamë maksimumin, por futbolli është i tillë, ndonjëherë edhe kur dominon nuk arrin të marrësh tre pikët. Barazimi nuk na kënaq plotësisht, por është një pikë që duhet ta vlerësojmë.
Çfarë mendon se i mungoi Teutës për të fituar?
Na mungoi qetësia në momentet vendimtare dhe konkretizimi përpara portës. Krijuam disa raste, por nuk arritëm t’i shfrytëzojmë si duhet. Këto janë detaje që po i punojmë çdo ditë në stërvitje.
Tashmë vëmendja është te ndeshja e radhës ndaj Vllaznisë. Çfarë ndeshjeje pret?
Vllaznia është një ekip me traditë dhe shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë e luftuar. Ne duhet të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në fund dhe të luajmë me shpirt gare. Këto janë ndeshje që të motivojnë më shumë si futbollist.
Si po ndihesh personalisht në rolin e mbrojtësit të majtë?
Ndihem mirë dhe i sigurt në këtë rol. Është një pozicion që kërkon shumë vrapim dhe balancë mes mbrojtjes dhe sulmit. Mundohem të ndihmoj ekipin sa herë që kam mundësi, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe duke mbështetur aksionet sulmuese.
Çfarë synimesh ka Teuta për vazhdimin e sezonit?
Synimi ynë është të jemi sa më konstantë dhe të ngjitemi në renditje. Çdo ndeshje e marrim hap pas hapi. Nëse punojmë fort dhe qëndrojmë të bashkuar si grup, jam i bindur se do të arrijmë objektivat tona.


