Thursday, January 29, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshjet në shtëpi, Vllaznia është skuadra më e mirë në Superiore

Ndeshjet në shtëpi, Vllaznia është skuadra më e mirë në Superiore

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po e ndërton sezonin 2025-26 mbi një bazë të fortë në ndeshjet e luajtura në shtëpi, ku stadiumi “Loro Boriçi” është shndërruar në një “fortesë” të vërtetë për kuqeblutë. Dueli i fundit, i fituar minimalisht 1-0 ndaj Partizanit, nuk ishte thjesht një sukses me peshë për rivalitetin historik, por edhe një tjetër konfirmim se Shkodra mbetet një terren i vështirë për çdo kundërshtar këtë edicion.

Në total, Vllaznia ka zhvilluar 11 ndeshje në shtëpi, duke grumbulluar plot 28 pikë, shifër që flet qartë për vazhdimësinë dhe sigurinë e skuadrës para tifozëve të saj. Me një bilanc të tillë, shkodranët kryesojnë renditjen e ekipeve më efikase në ndeshjet shtëpiake, duke lënë pas rivalë të fortë si Elbasani, që ka siguruar 22 pikë, dhe Egnatian me 19 pikë në duelet në fushën e vet.

Përveç rezultateve, Vllaznia ka treguar ekuilibër të admirueshëm edhe në aspektin ofensiv dhe defensiv. Kuqeblutë kanë realizuar 19 gola në “Loro Boriçi”, ndërsa kanë pësuar vetëm 6 të tillë, duke dëshmuar për një organizim të mirë të repartit mbrojtës dhe efikasitet në sulm. Këto shifra e bëjnë ekipin e Martinit një nga më të kompletuarit në kampionat për sa i përket ndeshjeve në shtëpi.

Megjithatë, jo çdo përballje ka qenë e lehtë për Vllazninë. Vetëm dy skuadra kanë arritur të marrin pikë në Shkodër këtë sezon. Bylisi arriti të merrte një pikë, duke barazuar 1-1 në javën e 16-të, në një ndeshje ku vendasit dominuan, por nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara.

Disfata e vetme shtëpiake mbetet ajo ndaj Teutës, e cila arriti të fitojë 0-1 në raundin e 13-të. Një humbje që ngelet e vetmja “njollë” në ecurinë pozitive në “Loro Boriçi”.
Në tërësi, Vllaznia po tregon se forca e saj kryesore këtë sezon është pikërisht shtëpia. Me mbështetjen e vazhdueshme të tifozëve dhe me një skuadër që po rritet nga java në javë, “Loro Boriçi” pritet të vazhdojë të jetë një armë kyçe në objektivat e kuqeblutë për sezonin 2025-26.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments