Nga Engjëll GJOLAJ
Ditën e nesërme do të rinisë kampionati i kategorisë së dytë dhe ekipi i Veleçikut do të presë në fushën e tij ekipin e Adriatikut në ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit. Koplikasit po i japin dorën e fundit përgatitjeve dhe tashmë gjithçka duket gati për startin e ndeshjeve zyrtare të këtij viti.
Gazeta “Shkodra Sport” ka ndjekur nga afër një nga seancat stërvitore të Veleçikut dhe ka biseduar edhe me trajnerin e tij Besnik Duli i cili ka folur në lidhje me takimin e nesërm, por edhe për merkaton dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë skuadër.
– z. Duli si paraqitet situata tek Veleçiku në prag të ndeshjes me Adriatikun?
Ne vazhdojmë përgatitjet me kontingjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion. Lojtarët janë mjaft të impenjuar dhe së bashku po bëjmë të gjitha përpjekjet për të arritur objektivin, që është fitorja. Këtë radhë, fitorja është shumë e rëndësishme dhe me vlerë për ne.
– Si është gjendja e ekipit (lojtarëve), duke qenë se gjatë këtyre ditëve ka qenë e pranishme gjendja gripale dhe pamë mungesën e lojtarit kryesor Shekaj?
Të gjithë lojtarët gëzojnë një gjendje të mirë fizike pas kësaj faze përgatitore. Besoj se edhe Shekaj do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje.
– Ku qëndron forca e ekipit dhe në cilët reparte ndihen mungesat më të mëdha?
Forca jonë është kolektiviteti. Reparti që ka nevojë për më shumë punë është mesfusha. Pa dyshim, lojtari që bie më shumë në sy në këtë rol është Shekaj. Reparti i mbrojtjes është më i blinduar.
– A keni prurje të reja në radhët e ekipit këtë sezon apo largime?
Po, kemi afruar Jurgën Gjinin, një lojtar me eksperiencë që do të na shërbejë shumë në repartin e sulmit. Sa i përket largimeve, janë larguar Laceja dhe Uendi Vecaj.
– Çfarë po bëhet për ndërtimin e “stadiumit”, për të cilin flitet prej vitesh, apo ka qenë thjesht shumë zhurmë për asgjë?
Kjo është një çështje që nuk më përket mua.


