Me fitore e ka mbyllur këtë javë edhe ekipi i volejbollit të meshkujve të Vllaznisë. Ai është ndeshur me Elbasanin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe e ka mundur me rezultatin e pastër 3-0.
Një ndeshje që nuk ka patur shumë rivalitet pasi volejbollistët shkodranë e kanë dominuar nga fillimi e deri në fund atë. Seti i parë është mbyllur me shifrat 25-14, rezultat ky që tregon më së miri edhe diferencën mes dy ekipeve.
Në të dytin elbasanasit luajnë më mirë megjithatë ato shënojnë vetëm 21 pikë përballë 25 të Vllaznisë. Në të tretin ndërkohë fiksohen shifrat 25-17 dhe në këtë mënyrë Vllaznia do ta fitonte krejt ndeshjen me rezultatin 3-0.
Me këtë fitore ajo ngjitet në kuotën e 15 pikëve dhe për momentin ndodhet në vendin e dytë të renditjes, por ndërkohë Tirana e vendit të tretë ka 14 pikë por një ndeshje më pak të luajtur.


