Tuesday, February 17, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPresidenti Xhaferi premio të majme për skuadrën e Vllaznisë pas fitores ndaj...

Presidenti Xhaferi premio të majme për skuadrën e Vllaznisë pas fitores ndaj Elbasanit

Ekipi i Vllaznisë po marshon me hap kampioni. Fitorja e fundit 2- 1 ndaj Elbasanit jo vetëm që forcoi pozitën në krye të renditjes, por i dha një tjetër sinjal të qartë rivalëve se kuqeblutë janë më të vendosur se kurrë për titullin.

Me këtë triumf, shkodranët janë shkëputur me 5 pikë nga ndjekësi më i afërt, Egnatia, duke krijuar një avantazh të rëndësishëm në një moment delikat të sezonit. Sfida ndaj verdhebluve ishte e luftuar deri në sekondat e fundit, por karakteri i skuadrës shkodrane bëri diferencën. Vllaznia tregoi qetësi, pjekuri dhe uri për fitore, duke menaxhuar me zgjuarsi epërsinë dhe duke goditur në momentin e duhur.

Tre pikët e marra në këtë përballje mund të rezultojnë vendimtare në garën për titull, sidomos kur diferencat mes ekipeve të kreut janë shpesh minimale. Kjo ecuri shumë pozitive duket se ka kënaqur jo pak edhe drejtuesit e klubit. Burime pranë kampit kuqeblu bëjnë me dije se atmosfera në skuadër është mjaft entuziaste, ndërsa besimi për realizimin e objektivit madhor është rritur ndjeshëm. Rezultatet në fushë kanë sjellë jo vetëm qetësi, por edhe një shtysë të re financiare nga ana e presidencës.

Sipas asaj që mëson gazeta, presidenti Alban Xhaferi kishte premtuar një premio të majme në rast fitoreje ndaj Elbasanit. Premtimi është mbajtur: menjëherë pas ndeshjes, ai ka shpërndarë një shumë prej 10 mijë eurosh për futbollistët, si shpërblim për përkushtimin dhe suksesin e arritur.

Një motivim ekstra që vlerëson sakrificën dhe djersën e derdhur në fushën e lojës. Në këtë mënyrë, kuqeblutë jo vetëm “mbushën” xhepat pas vërshëllimës finale, por forcuan edhe më shumë frymën e grupit në prag të ndeshjeve vendimtare. Me një diferencë prej 5 pikësh dhe me mbështetjen e plotë të klubit, Vllaznia duket më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës për t’u rikthyer në fronin e kampionatit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments