Thursday, February 19, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMungesat e titullarëve, ja kush mund të luajë për Vllazninë kundër Bylis

Mungesat e titullarëve, ja kush mund të luajë për Vllazninë kundër Bylis

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka nisur përgatitjet me intensitet të lartë për sfidën e javës së 25-të të kampionatit, aty ku kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Ballshit për t’u përballur me KF Bylis. Një transfertë delikate në këtë fazë të sezonit, ku çdo pikë peshon dyfish dhe ku objektivi i vetëm për shkodranët mbetet marrja e tre pikëve dhe blindimi i kreut të renditjes.

Në ambientet e stërvitjes vihet re qartë përqendrimi maksimal i grupit. Stafi teknik ka punuar kryesisht në aspektin taktik, duke analizuar pikat e forta dhe dobësitë e kundërshtarit, ndërsa ritmi i lartë dhe disiplina në fushë tregojnë se skuadra është e vetëdijshme për rëndësinë e kësaj përballjeje. Në Ballsh nuk pritet një ndeshje e lehtë, por Vllaznia synon të tregojë forcën dhe pjekurinë e një skuadre pretendente.

Megjithatë, trajneri Edi Martini duhet të bëjë llogaritë me tre mungesa të rëndësishme në formacion. Mbrojtësi Gurishta, mesfushori Kastrati dhe sulmuesi Balaj do të mungojnë për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve, duke lënë boshllëqe të ndjeshme në prapavijë, në mesin e fushës dhe në repartin ofensiv. Janë tre elementë me peshë, që shpesh kanë qenë pikë referimi për lojën e kuqebluve.

Mungesa e Gurishtës pritet të ndikojë në fazën mbrojtëse, aty ku eksperienca dhe siguria e tij kanë qenë një garanci më vete. Po ashtu, në mesfushë do të ndihet mungesa e Kastratit, një futbollist që jep ekuilibër mes mbrojtjes dhe sulmit. Ndërsa në vijën e parë, Balaj ka qenë shpesh njeriu i golit dhe pika e mbështetjes për aksionet sulmuese.

Gjithsesi, në Shkodër nuk ka vend për panik. Besimi te grupi dhe te alternativat është i madh. Emra si Çelikoviç, Qato apo edhe Dodaj pritet të marrin fanellën e titullarit dhe të shfrytëzojnë maksimalisht mundësinë për të treguar vlerat e tyre.

Stafi teknik ka punuar për të gjetur zgjidhjet e duhura, duke ndërtuar një formacion konkurrues që ruan identitetin e skuadrës.
Atmosfera në kampin kuqeblu mbetet pozitive dhe e motivuar. Objektivi është totalisht i qartë në mendjen e lojtarëve: fitore në Ballsh dhe një tjetër hap i sigurt drejt realizimit të synimeve sezonale. Në këtë pikë të kampionatit, Vllaznia kërkon të dëshmojë se është gati të përballojë çdo vështirësi dhe se thellësia e organikës mund të bëjë diferencën.

Të shtunën, në fushën e Ballshit, do të shihet një Vllazni e vendosur, me karakter dhe uri për sukses. Tre pikët janë misioni i vetëm i kuqebluve, për të vazhduar marshimin në krye dhe për të dhënë një tjetër sinjal të fortë për rivalët në garën për titull.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments