Shkruar nga Endri ÇINARI
Një tjetër paraqitje për t’u duartrokitur për Rejan Alivodën në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Mesfushori shkodran ishte protagonist në sfidën e javës së 17-të, ku Ittihad Kalba triumfoi 2-1 ndaj Dibba Al Fujairah. Në një ndeshje të luftuar dhe me ritëm të lartë, 22-vjeçari tregoi pjekuri dhe cilësi, duke qenë një nga pikat më të forta të skuadrës së tij në mesfushë.
Alivoda zhvilloi një performancë të shkëlqyer, duke diktuar tempin e lojës, fituar duele të rëndësishme dhe kontribuar si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese. Lëvizshmëria, saktësia në pasime dhe qartësia në vendimmarrje e bënë atë një element kyç në suksesin e ekipit. Kontributi i tij ndikoi drejtpërdrejt në ruajtjen e avantazhit dhe menaxhimin e minutave të fundit të takimit.
Në fund të 90-minutëshit, paraqitja e mesfushorit shkodran u kurorëzua me notën e lartë 8.2, një vlerësim që pasqyron qartë atë çfarë dha në fushën e lojës. Ky është një tregues i rritjes së vazhdueshme të tij dhe i rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që po merr në formacionin e Ittihad Kalba-s.
Për Alivodën, ky është sezoni i dytë në Emirate, pas transferimit nga Vllaznia në merkaton e verës së vitit 2024. Një hap i rëndësishëm në karrierën e tij, që po shoqërohet me paraqitje pozitive nga ndeshja në ndeshje.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


