Dy golat e Megi Doçit i kanë dhënë fitoren kombëtares shqiptare ndaj Malit të Zi në sfidën e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Nikshiqit. Sulmuesja e Vllaznisë është treguar edhe njëherë tjetër e shkëlqyer duke treguar më së miri vlerat e saj edhe me fanellën kuqezi ku po ashtu mban shiriten e kapitenes.
Sfida ka patur rivalitet dhe në pjesën e parë pavarësisht rasteve të krijuara, ajo është mbyllur në shifrat e barabarta 0-0. E dyta do të jetë krejt ndryshe. Në ’64 është Doçi shumë pranë golit por topi i gjuajtur prej saj grushtohet nga portierja malazeze mbi vijën fatale.
Tre minuta më vonë është Mali i Zi që kalon i pari në avantazh me anë të futbollistes Kuç, por tre minuta më vonë Shqipëria barazo. Qëndresa Krasniqi bën gjithçka mirë nga e djathta, fut një top në qendër të zonës, aty ku Doçi gjuan saktë dhe topi përfundon në rrjetë. Në minutën e 76-të është sërish Doçi që tregon klasin e saj.
Ajo ka ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi dhe e ka dërguar topin mbi mur dhe më pas direkt në rrjetë. Përfundimisht 2-1 për kombëtaren shqiptare të drejtuar nga Armir Grima e cila e nis me fitore serinë e ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 2027. Të shtunën Shqipëria do të presë në stadiumin “Loro Boriçi” kombëtaren e Sllovakisë, ku padyshim që do të tentojë një tjetër fitore.


