Tirana po kalon një moment të vështirë në elitën e futbollit shqiptar, teksa rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Në lidhje më këtë situatë foli dhe ish-trajneri i mirënjohur, Faruk Sejdini, i cili nuk i ka kursyer kritikat, në lidhje me futbollistët e huaj të afruar me shumicë nga drejtuesit bardheblu. I ftuar në studion e emisionit “Ora Sport”, Sejdini ndër të tjera deklaroi:
“Tirana përbën lajm sepse nëse bie nga kategoria është humbje për futbollin shqiptar. Është një ekip me shumë tituj e kupa dhe ka ushqyer futbollin shqiptar me futbollistë për ekipin përfaqësues dhe për klubet e tjera.
Tirana sot është bërë një skuadër me shumë të huaj. Besoj se janë rreth 14-15. Është një konglomerat dhe kjo është arsyeja pse ekipi nuk po e kap veten.
Kam nja 3-4 muaj që kam parë Tiranën në stadiumi “Dinamo”, një me numër 30 (Tabeku), ai çdo gjë mund të jetë, të më thonë që do të bëhet pianist do ta besoj, të më thonë që shpërndan lule për 7-8 mars do e besoj, por që ta fusësh futbollist dhe t’i presësh rrugën një futbollisti të ri, këtë nuk e besoj.
Çfarë do ta gjente Tiranën, po të kishte futur një djalë 16-17 vjeçar, më keq se kaq do ikte? Është gjynah që t’iu japësh atyre një kampion me lekë dhe t’i presësh rrugën lojtarëve tanë”, deklaroi Sejdini.


