Monday, March 9, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit të Vllaznisë së viteve ’80, Ardian...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit të Vllaznisë së viteve ’80, Ardian Bushati

Shkruar nga Gjergj KOLA

Kur flasim për Vllazninë e viteve ’80, një prej ekipeve më të mira në historinë e saj, padyshim që nuk mund të anashkalohet një nga mesfushorët e talentuar të saj, Ardian Bushati. Ai për 11 vite e gjysmë ka qenë pjesë e ekipit shkodran, duke dhënë një kontribut shumë të madh në sukseset e tij.

Ka luajtur në rolin e mesfushorit të qendrës, ka mbajtur numrin 10 mbi shpinë dhe është dalluar për një shpirt të lartë gare, por edhe për klas në lojën e tij. Ndaj ndalemi sot tek ky personazh sepse ka ditëlindjen. Bushati feston 64-vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ardian Bushati ka lindur në Shkodër më 9 mars 1962 dhe në rininë e tij zgjodhi të merrej me futboll. Pasi kaloi të gjithë ekipet zinxhir, në vitin 1981 u bashkua me ekipin e parë të Vllaznisë.

Me të do të luante rregullisht deri në nëntor të vitit 1992. Pas vizitës së ekipit në Francë, vendosi të largohej drejt Gjermanisë, aty ku vijoi karrierën e tij tek ekipi FC Speyer, me të cilin luajti për disa vite derisa vendosi të linte futbollin.

Ndërkohë, gjatë karrierës së tij ai fitoi edhe tre trofe me ekipin e Vllaznisë: konkretisht titullin kampion dy herë, në sezonet 1982-83 dhe 1991-92, si dhe Kupën e Republikës në sezonin 1986-87.

Në 10 vite aktivizim me ekipin e parë të Vllaznisë, Bushati ka luajtur plot 238 ndeshje vetëm në kampionat, pa përmendur këtu ndeshjet në Kupën e Shqipërisë apo në aktivitete të tjera ku ka përfaqësuar ekipin shkodran.

Ai ka shënuar gjithsej 27 gola dhe i fundit prej tyre erdhi pikërisht në ndeshjen e fundit që luajti me Vllazninë, atë ndaj Flamurtarit më 12 nëntor 1992, kur realizoi një nga golat në fitoren 4-0 të kuqebluve. Kjo do të ndodhte vetëm pak ditë para largimit të tij nga Shqipëria.

/www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments