Shkruar nga Endri ÇINARI
Forma e Vllaznisë gjatë fazës së tretë të kampionatit për edicionin 2025-2026 ka qenë ndër më pozitivet e sezonit për kuqeblutë. Në nëntë ndeshjet e zhvilluara, ekipi shkodran ka arritur të sigurojë shtatë fitore dhe vetëm dy humbje, duke grumbulluar plot 21 pikë nga 27 të mundshme. Një bilanc që konfirmon momentin e mirë të ekipit dhe ambiciet e tij në këtë pjesë vendimtare të sezonit.
Një element interesant në statistikat e kësaj faze është fakti se Vllaznia nuk e njeh fjalën barazim. Të gjitha ndeshjet janë mbyllur me fitore ose humbje për kuqeblutë, një tregues i qartë i filozofisë së skuadrës për të kërkuar gjithmonë maksimumin në fushë. Kjo qasje ka sjellë edhe një rendiment të kënaqshëm në tabelën e pikëve.
Në aspektin ofensiv dhe mbrojtës, shifrat janë gjithashtu mjaft pozitive. Në këto nëntë përballje, shkodranët kanë realizuar 12 gola dhe kanë pësuar vetëm 4, duke treguar një ekuilibër të mirë mes repartit të sulmit dhe mbrojtjes. Për më tepër, vetëm në humbjen e fundit ndaj Flamurtarit me rezultatin 1-0, skuadra nuk ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës gjatë kësaj faze.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Martini ka treguar vazhdimësi në rezultate dhe stabilitet në lojë, duke arritur të fitojë pjesën më të madhe të ndeshjeve me një menaxhim të mirë të ritmit dhe efikasitet në momentet vendimtare. Kjo e ka ndihmuar ekipin të mbajë një mesatare të lartë pikësh për ndeshje.
Megjithatë, ajo që bie në sy në këtë ecuri është fakti se të dy humbjet e nëntë herë kampionëve të vendit kanë ardhur përballë skuadrave që luftojnë për mbijetesë.
Fillimisht ishte Bylis që arriti të mposhtë shkodranët me rezultatin 2-1, ndërsa së fundmi ishte Flamurtari që fitoi minimalisht 1-0. Të dyja këto disfata kanë ardhur në transfertë, duke treguar se pikërisht ndeshjet jashtë fushe ndaj ekipeve që luajnë për mbijetesë kanë rezultuar më të vështirat për kuqeblutë.
Pavarësisht këtyre dy hapave fals, bilanci i përgjithshëm i fazës së tretë mbetet shumë pozitiv për Vllazninë. Me 21 pikë të grumbulluara dhe një diferencë golash solide, shkodranët konfirmojnë se janë një nga skuadrat më në formë të momentit dhe një pretendent serioz në garën e këtij sezoni.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


