Erjon Hoti, ish-futbollist i Vllaznisë ka folur së fundmi për “Panorama Sport”.Në analizën e tij ai ndalet veçanërisht tek ndeshja e fundit e kuqebluve ndaj Egnatias, ku thotë se ndoshta ekipi duhej të kishte tentuar për diçka më tepër se barazimi. Megjithatë shkodrani e shikon në rrugën skuadrën e drejtuar nga Martini, ku beson se ky është viti i duhur për të kthyer titullin në Shkodër. Teksa ish-kampioni i vendit ndan edhe një mendim për ndeshjen e kësaj jave të shkodranëve përballë Dinamos.
Vllaznia vetëm një barazim së fundmi në kampionat, i kënaqur që vjen ndaj një rivali si Egnatia?
Po të më ishte bërë kjo pyetje para ndeshjes, do të isha i kënaqur me një barazim në fushën e Egnatias, duke qenë se është një kundërshtar i fortë. Por, duke parë si rrodhën ngjarjet gjatë lojës, mendoj se humbëm dy pikë të rëndësishme. Duhej të kishim guxuar më shumë në momente kyçe. Ekipi më është dukur disi i tërhequr dhe i pasigurt, sikur nuk besonte plotësisht se mund të fitonte në atë transfertë.
Dinamo kësaj jave në Shkodër ndaj Vllaznisë, si e parashikon?
Dinamo po kalon një moment jo shumë të mirë, por nuk duhet harruar se është një ekip me cilësi dhe duhet vlerësuar maksimalisht. Megjithatë, për ne kjo është një ndeshje që duhet fituar patjetër. Duke parë formën dhe përbërjen e skuadrës sonë, jam i bindur se kemi më shumë potencial dhe besoj se do të arrijmë të marrim fitoren në këtë përballje të rëndësishme.


