Shkruar nga Endri ÇINARI
Sulmuesi shkodran Belajdi Pusi po përjeton një nga momentet më të mira të karrierës së tij, duke u shndërruar në protagonist absolut në futbollin rus. I aktivizuar me Fakel Voronezh, 28-vjeçari ka qenë figura kyçe e skuadrës gjatë sezonit 2025–26, ku performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të tifozëve, por edhe të merkatos.
Me 14 gola të realizuar dhe 3 asiste në kampionat, Pusi ka qenë një armë vendimtare në repartin ofensiv, duke udhëhequr ekipin drejt majës së renditjes në ligën e dytë ruse. Kontributi i tij ka qenë vendimtar në shumë ndeshje, ku shpeshherë ka zhbllokuar sfida të vështira dhe ka garantuar pikë të rëndësishme për skuadrën që tashmë shihet si favoritja kryesore për ngjitjen në Premier League të Rusisë.
Forma e shkëlqyer e sulmuesit nuk ka kaluar pa u reflektuar edhe në tregun e transferimeve.
Vlera e kartonit të tij është rritur ndjeshëm, duke kapur shifrën e 1 milion eurove – një tregues i qartë i impaktit dhe potencialit që ai po demonstron në fushën e lojës. Pusi tashmë konsiderohet një nga emrat më të spikatur të kampionatit, duke tërhequr interesin e klubeve më të mëdha.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, është thuajse e sigurt që sezoni i ardhshëm do ta gjejë në një nivel edhe më të lartë. Qoftë me Fakel në elitë apo me një transferim drejt një skuadre më prestigjioze, e ardhmja e tij duket premtuese. Ndërkohë, drejtuesit e Fakel “fërkojnë duart”, pasi një shitje e mundshme e Pusit në fund të sezonit mund të sjellë përfitime të konsiderueshme financiare për klubin.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


