Sunday, March 29, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREIsh-portieri kuqeblu Zogoviç: Vllaznia ka ekipin më të mirë dhe e shoh...

Ish-portieri kuqeblu Zogoviç: Vllaznia ka ekipin më të mirë dhe e shoh kampione

Ka qëndruar për 3 sezone në Shkodër duke lënë kujtime të paharrueshme me performancat, por edhe dashurinë e tij për qytetin dhe Vllazninë. Fjala është për Bojan Zogoviç, i cili aktualisht aktivizohet në Malin e Zi me Arsenal Tivat, por që asnjëherë nuk i harron kuqeblutë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, gardiani ka folur për sezonin e shkodranëve deri më tani, duke i cilësuar në nivelin e duhur. Po ashtu ai ndan një mendim edhe për portierët e gjithashtu shpresat që vetë malazezi ka për triumfin final të Vllaznisë në fundin e edicionit.

Bojan, si ju është dukur kampionati shqiptar deri më tani, nga aq sa keni ndjekur?

Kam pasur mundësi të shikoj disa ndeshje, madhe edhe në stadiume. Ajo që vë re është thuajse barazia e vlerave në skuadra, ku nuk ka shumë diferenca. Ashtu siç ka qenë kryesisht kampionati shqiptar në këto sezone, por ka 2-3 skuadra që bëjnë më shumë diferencën në cilësi. Dhe këtë e tregon edhe tabela e klasifikimit, por që në Superiore asnjëherë nuk mund të thuash se i kam të sigurta pikët me këtë apo atë ekip, pasi gjithmonë do përgatitesh për ndeshje të forta.

Po Vllazninë në veçanti, si e gjykon?

Them se po bëjnë një sezon shumë të mirë dhe meritojnë të jenë në krye të kampionatit. Kampionati do ketë ulje dhe ngritje, por kuqeblutë kanë treguar karakter duke përballuar edhe situatat e vështira. Po ashtu në opinionin tim kanë ekipin me futbollistët më cilësorë në kampionat dhe i shoh në rrugën e duhur. Tashmë ka mbetur pak dhe skuadra duhet të jetë edhe më e gatshme për të përballuar “sprintin” final.

Mund të përmirësojnë diçka kuqeblutë në këtë fund sezoni?

Nuk besoj të ketë gjëra të veçanta për të përmirësuar, thjesht të jenë të qetë dhe fokusuar. Të mos kalojnë në eufori dhe të mos nënvlerësojnë asnjë situatë apo detaj. Në skuadër drejtojnë njerëz me eksperiencë dhe që e njohin kampionatin shqiptar, prandaj i shoh si një pikë të fortë për futbollistët. Tashmë nuk ka të bëjë vetëm me lojën sportive e atë në fushë, por edhe atë psikologjike. Dhe vetëm këtu duhet të jenë të fortë, pasi në fushë Vllaznia ka treguar se di të mposhtë çdo kundërshtar që i ka dalë përballë këtë sezon.

Bindin portierët dhe prapavija e shkodranëve?

Ekipi ka mbrojtjen më të mirë në kampionat e kjo shkon si meritë e të gjithëve dhe jo vetëm portierit dhe repartit të prapavijës. Përsa i përket portës në veçanti, Pohls është ndoshta më i miri në Superiore. Ka dhënë siguri dhe shumë eksperiencë për Vllazninë në katërkëndor. Por, nuk mund të harroj as Jukajn, që po ashtu është një portier shumë cilësor. Për këtë arsye them se porta është një pike goxha e fortë e skuadrës.

Ju ka ngelur disi “peng” ai mos fitim i kampionatit në sezonin 2020-21?

Patjetër që na ka ngelur peng dhe sa herë diskutojmë me shokët e atij sezoni themi se si e humbëm atë kampionat. Pasi bëmë lojën më të mirë dhe ishim ekipi që e meritonte më shumë se kushdo. Por, futbolli qenka i tillë dhe duhet ta pranosh realitetin, pavarësisht se do donim të ishte ndryshe (qesh).

Besoni se titulli këtë edicioni do kthehet në Shkodër pas 25 vitesh mungesë?

E besoj dhe e uroj me zemër titullin për Vllazninë, e thashë që kanë ekipin më të mirë dhe kjo të jep garanci. T’i marrin ndeshje një e nga një dhe do arrijnë tek suksesi, pastaj do jemi të gjithë në Shkodër për të festuar në muajin maj. Por, deri atëherë ka kohë dhe skuadra të jetë me mendjen vetëm në fushë dhe askund tjetër.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments