Shkruar nga Endri ÇINARI
Arbitri shkodran Ditmir Grimci po konfirmohet sezon pas sezoni si një nga emrat më premtues të gjykimit në futbollin shqiptar. Në moshën 35-vjeçare, ai ka arritur të fitojë besimin e strukturave drejtuese të arbitrimit, duke marrë gjithnjë e më shumë ndeshje me peshë në kampionatin “Abissnet Superiore”. Qetësia, përqendrimi dhe vendosmëria në vendimmarrje janë disa nga cilësitë që e dallojnë Grimcin në fushën e lojës.
Edhe gjatë këtij edicioni, Grimci ka treguar rritje të dukshme profesionale, duke u shfaqur i saktë dhe konsekuent në gjykimet e tij. Ai ka menaxhuar me kompetencë situata të vështira dhe momente delikate, duke ruajtur standard të lartë në interpretimin e rregullores. Kjo ka bërë që ai të vlerësohet jo vetëm nga specialistët, por edhe nga opinioni sportiv.
Prova më e fundit e aftësive të tij erdhi në duelin gjysmëfinal të Kupës mes Egnatias dhe Elbasanit, një përballje e karakterizuar nga tension i lartë dhe rivalitet i fortë. I vendosur si gjyqtar kryesor në një sfidë të tillë, Grimci arriti të mbajë nën kontroll lojën me autoritet, duke marrë vendime të drejta dhe të balancuara në momente kyçe.
Integriteti i tij në fushë dhe mënyra profesionale e menaxhimit të ndeshjes bënë që performanca e tij të vlerësohet pozitivisht. Ai tregoi se është i aftë të përballojë presionin dhe të qëndrojë i paanshëm, cilësi thelbësore për një arbitër që synon nivele më të larta.
Në këtë kuadër, Grimci po shihet gjithnjë e më shumë si një nga arbitrat e së ardhmes që mund të garantojnë cilësi dhe besueshmëri në futbollin shqiptar. Performancat e tij janë një sinjal i qartë edhe për FSHF dhe sektorin e arbitrimit, që të hedhin më shumë vëmendje nga Shkodra, një qytet që vazhdon të prodhojë elementë me perspektivë dhe cilësi në fushën e gjykimit sportiv.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


