Java e 31-të e Abissnet Superiore do të nisë këtë të shtunë, në sfidën direkte për mbijetesën mes Flamurtarit dhe Vorës, e cila do të jetë dhe ndeshja që do t’i hapë rrugë dueleve të tjera të përcaktuara të dielën dhe të hënën.
Në stadiumin “Flamurtari”, pritësit e kësaj përballje do të bëjnë çmos të marrin tri pikët, pasi distanca me rivalin është vetëm 5 pikë dhe gara vijon të mbetet akoma e hapur.
Barazimi po në shtëpi me Tiranën në minutat e fundit, ka rikthyer disi shpresën te ekipi vlonjat i cili, edhe pse ndodhen në fundin e klasifikimit, matematikisht është ende në lojë për të tentuar një vend në zonën e “play-out”.
Në krahun tjetër, Vora shkon në këtë transfertë me motivin për të vazhduar atë çfarë la në shtëpi. Suksesi me Teutën me rezultatin 1-0, ka bërë që të besuarit e Arjan Bellait të bëjnë gjithçka për të rrëmbyer të tjera pikë jetike për të qëndruar në elitë.
Vorakët kanë pikë të barabarta me Bylisin, 30 të tilla për kokë, e në rast se fitojnë në mbrëmjen e sotme do t’i kapërcejnë përkohësisht duke u pozicionuar të 7-tët.
Në duelet e tjera, të dielën Tirana pret Egnatian në orën 16:00, ndërsa Vllaznia do të masë forcat me Teutën në Shkodër 3 orë më vonë. E hëna më pas i takon sfidave të fundit që përmbyllin dhe këtë javë, ku fillimisht Bylis do të presë në Ballsh Dinamon në orën 16:00 dhe në fund, supersfida mes Elbasanit dhe Partizanit në 19:00.


