Nga Maringlen ZHIVANI
Drejtori i Burrelit, Klevis Gjoka, ka reaguar në një komunikim me “Shkodra Sport” ndaj deklaratave të trajnerit të Skënderbeut, Ernest Gjoka, lidhur me pretendimet për aleanca. Ai theksoi se skuadra ndodhet në një situatë delikate dhe ka nevojë për 4 pikë në 3 ndeshjet e mbetura për të siguruar mbijetesën, duke nënvizuar se nuk kanë asnjë arsye të motivohen nga palë të treta.
“Ne jemi në pozita delikate si skuadër, pasi na duhen katër pikë në tre ndeshje që të shpëtojmë sezonin dhe nuk kemi pse motivohemi nga një palë e tretë. Trajneri Ernest Gjoka të merret me punë e jo më llafe, sepse në CV e tij ka rrëzuar disa ekipe një Kategori më poshtë dhe në sezonet kur ka triumfuar e di shumë mirë ai se si ka fituar. Poashtu, edhe këtë vit ka fituar me penallti fantazëm e gola fantazëm.”
Drejtori Gjoka u shpreh gjithashtu kritik ndaj trajnerit kundërshtar të Skënderbeut, duke i kërkuar të fokusohet te puna dhe jo te deklaratat, ndërsa shtoi se përpara akuzave duhet të kishte falënderime për mikpritjen.
“Për të shtuar edhe diçka, përpara se të fillojë me akuzat, trajneri Gjoka duhet të fillojë me falënderimet për mikpritjen”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori i Burrelit Klevis Gjoka.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


