Shkodra dha e para shembullin për të rikthyer në fushën e lojës sërish veteranët e futbollit dhe kjo u konkretizua me zhvillimin për gjashtë muaj me rradhë të kampionatit 5×5 Masters, një kampionat i organizuar nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër në bashkëpunim edhe me Shoqatën “Pro Sport”.
Si rrjedhojë në fushë zbritën çdo javë veteranët e Vllaznisë, trajnerë të futbollit, gazetarë, doktorë e zyrtarë të ndryshëm të moshës mbi 40 vjeç, të cilët luajtën plot pasion duke dhuruar e marrë shumë emocione. Si rrjedhojë shumëkush ka hedhur idenë që në Shqipëri, ashtu si në gjithë vendet e Rajonit, të ketë një kampionat veteranësh.
Një ide e tillë i është hedhur edhe anëtarit të Komitetit Ekzeekutiv të FSHF-së Armando Cungu, i pranishëm në ceremoninë e mbylljes së kampionatit për të dorëzuar kupat dhe medaljet fituesve. Ky i fundit në një prononcim të dhënë për mediat është shprehur se këtë propozim do ta dërgojë shumë shpejt në institucionin e futbollit shqiptar.
“Pothuajse në gjithë Botën ekzistojnë kampionatet e veteranëve në futboll dhe ideja për ta patur edhe në Shqipëri është shumë pozitive. Unë patjetër që do ta përcjellë edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe shpresoj që të marrë një rrugëtim një inisiativë e tillë. Kampionati që u zhvillua në Shkodër tregoi se një organizim i tillë është shumë i bukur. Duke parë në fushë edhe emra të tillë si Hysen Zmijani dhe Avenir Dani që luajnë sërish me shumë pasion, një kampionat veteranësh kombëtar besoj se ia vlen të organizohet”- është shprehur Cungu.


