Kanë marrë fund enigmat kryesore të kategorisë së parë të futbollit shqiptar. Skënderbeu dhe Laçi janë dy skuadrat që sezonin e ardhshëm do të luajnë sërish në Superiore. Atyre u është dashur vetëm një sezon për t’u rikthyer aty ku kanë qenë edhe më parë. Verdiktet përfundimtare janë mësuar sot me fitoret që ato kanë arritur ndaj Kastriotit dhe Pogradecit.
Dhe ndonëse kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të kampionatit, edhe matematikisht korçarët dhe laçianët janë një kategori më lart. Përcaktuese për gjithçka ka qenë ndeshja e luajtur sot në Laç në mes vendasve dhe Pogradecit.
Kurbinasit fituan 2-0, por duhet thënë se ndodhta vendimtare ka qenë pritja e 11-metërshit të Zguros nga portieri vendas në fundin e pjesës së parë kur Laçi udhëhiqte 1-0 dhe nëse ai do të kishte shënuar, nuk dihet se çfarë rrethanash të tjera do të kishte patur ndeshja. Por gjithsesi golat e Bibos dhe Jiakpona i kanë dhënë fitoren skuadrës së drejtuar nga Shensoi.
Në Korçë ndërkohë nuk ka patur shumë histori sepse Skënderbeu nuk hasi as më të voglën vështirësi për të triumfuar ndaj krutanëve me shifrat e thella 4-0. Ka shënuar dy herë Nasr si dhe Janaqi dhe autogoli i Gjinollarit.


