Ditën e sotme është zyrtarizuar rikthimi i Skënderbeut dhe Laçit sërish në Superiore sezonin e ardhshëm. Ndonëse kampionatit të kategorisë së parë i duhen edhe dy javë të mbarojë, korçarët dhe laçianët kanë siguruar edhe matematikisht dy vendet e para që ua mundëson këtë rikthim.
Ndërkohë pak minuta më parë, ka qenë KF Vllaznia që përmes një postimi në faqen zyrtare i ka uruar ata për rikthimin në Superiore, aty ku ju takon të jenë.
“KF Vllaznia përgëzon KF Skënderbeun dhe KF Laçin për rikthimin në Kategorinë Superiore!
Një sukses i merituar që i shton edhe më shumë vlerë dhe rivalitet futbollit shqiptar. Me histori, traditë dhe tifozëri të zjarrtë, rikthimi juaj e bën kampionatin edhe më të fortë dhe më të bukur.
Mirë se riktheheni aty ku ju takon!


