Në Cornellà, realiteti i përditshëm është përzier me një ndjenjë të jashtëzakonshme që ka pushtuar klubin ditët e fundit. Topi vazhdon të rrotullohet dhe skuadra përpiqet të ruajë fokusin në fushë, duke përsëritur të njëjtin mesazh brenda dhomave të zhveshjes: “Qetësi”.
Megjithatë, jashtë fushës, gjithçka ka ndryshuar rrënjësisht që nga momenti kur legjenda e Barcelonës, Lionel Messi bleu aksionet dhe u bë pronari i ri i klubit spanjoll.
Ndeshja e parë pas këtij njoftimi, barazimi 1-1 ndaj Fundació Esportiva Grama, pasqyroi qartë ndikimin e menjëhershëm të këtij zhvillimi. Numri i mediave të pranishme u rrit ndjeshëm – nga vetëm tre zakonisht në plot 15, ndërsa interesimi publik dhe atmosfera përreth klubit morën një dimension krejtësisht të ri.
Pavarësisht kësaj, drejtuesit dhe lojtarët po përpiqen të ruajnë normalitetin dhe të mos shpërqendrohen nga vëmendja e shtuar.
Efekti “Messi” është i dukshëm edhe në shifra. Para lajmit për blerjen, Cornellà kishte rreth 40 mijë ndjekës në Instagram. Tashmë, klubi ka kaluar shifrën prej gjysmë milioni ndjekësish, duke arritur në 573 mijë, dhe duke lënë pas disa ekipe të njohura të La Ligës si Getafe, Espanyol, Mallorca dhe të tjerë.
Me këtë zhvillim të papritur, UE Cornellà ka hyrë në një epokë të re, ku pritshmëritë janë më të larta se kurrë dhe sytë e botës së futbollit janë kthyer drejt një klubi që deri dje operonte larg vëmendjes së madhe.


