Besëlidhja arriti objektivin e saj për tu ngjitur në kategorinë e parë në sezonin e ri. Ndonëse përgatitjet e skuadrës lezhjane filluan disi me vonesë verën e kaluar, sërish stafi teknik në bashkëpunim me drejtuesit e klubit ia dolën të sjellin lojtarë cilësore dhe suksesi me ta ishte i garantuar.
Lezhjanët u shpallën kampionë të grupit A dhe tashmë do të luajnë edhe finalen e kampionatit ku do të kërkojë të fitojnë edhe titullin kampion të kategorisë së dytë. Por ajo që duhet thënë se suksesi i Besëlidhjes e ka bazën në Shkodër.
Duke filluar nga presidenti i klubit, Pjerin Fushaj që ka meritën e jashtëzakoshme në këtë sukses me financat dhe mënyrën si e ka drejtuar klubin gjatë këtyre muajve. Për të vazhduar me trajnerin Elvis Plori që ka bërë ashtu si duhet detyrën e tij në drejtimin e skuadrës drejt suksesit.
Dhe për të përfunduar me futbollistët ku duhet thënë se gati gjysma e skuadrës ka qenë e formuar nga shkodranët. Dhe kanë qenë plot 9 futbollistë nga kryeqendra e Veriut që kanë kontribuar në këtë sukses të Besëlidhjes. Duke filluar nga portieri Marco Molla, për të vazhduar me mbrojtësit Antonio Marku, Arsid Temja, Dritmir Beci dhe Arsid Kruja, me mesfushorët Abaz Karakaçi e Suad Bega si dhe me sulmuesit Jasmin Rraboshta dhe Flavio Fusha.
Në fakt historia e Besëlidhjes gjithmonë ka qenë e lidhur me shkodranët dhe kështu pritet të jetë edhe në të ardhmen. Burime pranë saj bëjnë të ditur se drejtuesit e klubit janë duke planifikuar që edhe në sezonin e ri në kategorinë e parë, baza e skuadrës të jetë me futbollistët nga Shkodra.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


