Besëlidhja po ecën me hapa të sigurt drejt rikthimit në majat e futbollit shqiptar, një proces që nisi verën e kaluar me ardhjen e biznesmenit Pjerin Fusha në krye të klubit. Lezhjanët zhvilluan një sezon dominues në Grupin A të Kategorisë së Dytë, duke e mbyllur pa asnjë humbje dhe duke siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Tani, objektivi i radhës është kurorëzimi me titullin kampion të Kategorisë së Dytë. Finalja do të luhet këtë fundjavë ndaj Orikut në stadiumin “Niko Dovana”, ku Besëlidhja synon të vulosë një sezon perfekt. Besëlidhja tashmë ka hedhur themele të forta për rikthimin në skenën kryesore të futbollit shqiptar, ndërsa finalja për titullin mbetet hapi i fundit për të vulosur një sezon historik.
Duke folur për suksesin e arritur, trajneri shkodran Elvis Plori është shprehur:
““Ky sukses është plotësisht i merituar. Futbolli lezhjan e meritonte rikthimin në Kategorinë e Parë. Merita i takon të gjithëve, futbollistëve, stafit teknik, presidencës që ishte promotori i këtij projekti, si dhe tifozëve që na kanë mbështetur vazhdimisht. Megjithatë, nuk ndalemi këtu. .
Para nesh është finalja e madhe dhe nuk ka rëndësi kundërshtari. Do të japim maksimumin për të fituar edhe titullin. Jam i bindur se edhe sezonin e ardhshëm do të përfaqësohemi me dinjitet, duke u mbështetur te ky sukses dhe duke synuar një nivel edhe më të lartë për futbollin lezhjan”.


