Arlind Kurti ishte heroi i ndeshjes që mbylli sezonin e rregullt të Kategorisë së Parë, pasi me golin e tij në sekondën e fundit i dha suksesin 1-0 Laçit ndaj Skënderbeut dhe i siguroi vendin e parë. Kapiteni i kurbinasve e festoi këtë gol me lot gëzimi, ndërsa pas ndeshjes tregoi emocionet e kësaj arritje dhe kthimit në Superiore.
“Emocione të papërshkrueshme, ishte një ndeshje e luftuar nga të dy ekipet. Na ndihmoi pak kartoni i kuq i Skënderbeut në minutat e fundit, që ne u gjendëm më pranë portës së tyre. Por besoj se ishte ndeshje e kontrolluar nga të dy ekipet dhe e fitoi ekipi që e meritoi më shumë.
Ia dedikoj familjes, më ka mbështetur që në fillim kur nisa hapat e parë, ndjej një emocion të papërshkrueshëm, nuk kam fjalë. E kishim detyrë se vitin që kaloi nuk e meritonim ne që të binim, sido që erdhi kampionati. Kjo ishte një detyre shtëpie për ne dhe e bëmë më së miri.
Ata ishin lot gëzimi dhe lot sakrifice që kemi bërë gjithë këtë vit, çunat me stafin e presidentin dhe erdhi vetvetiu, u shpreha në atë mënyrë më së miri pasi shënova golin.
Ofertë nga Vllaznia? Unë duhet të jap më të mirën time ne fushën e futbollit dhe besoj se si Laçi e Vllaznia janë dy ekipe shumë të mira, për atë nuk vendos unë po presidenca. Unë do bëj më të mirën në fushë dhe më pas do të diskutoj me ata.
Pozicioni? Unë ndjehem më mirë në sistem me tre, si luaja edhe vjet me Morieron. Nga e djathta ndjehem më mirë se sa në qendër, ose duke luajtur si mbrojtës i djathtë në krah”, tha Kurti për RTSH pas ndeshjes.


