Tuesday, May 5, 2026
FAQJA E PARE KRYESORENga Tonin Frroku/ Dëshirë e realizuar...

Nga Tonin Frroku/ Dëshirë e realizuar…

Një ëndërr e gjatë, e vështirë dhe shpeshherë e penguar, por në fund e realizuar. Historia e trajnerit shkodran Besnik Lisha tashmë ka marrë formën e suksesit të madh në volejbollin shqiptar.

Besnik Lisha, një emër i njohur i volejbollit shqiptar prej vitesh, kishte një synim të qartë: të shpallej kampion dhe të linte gjurmë. Fillimisht, ai la jetën në SHBA për t’u rikthyer në Shkodër, me dëshirën për ta bërë Vllaznia kampione në volejboll për femra. Madje investoi edhe personalisht, por hasi në mungesë mbështetjeje dhe pengesa që nuk i lejuan ta çonte deri në fund projektin e tij.

Më pas, ai u zhvendos në Korçë, ku mori drejtimin e Skënderbeu. Edhe pse u largua pesë javë para përfundimit të sezonit, puna e tij u vlerësua maksimalisht, pasi titulli kampion iu dedikua pikërisht kontributit të tij në ngritjen e ekipit. Dy sezone më parë, Lisha mori drejtimin e Pogradeci, me një tjetër ëndërr të madhe. Në sezonin e parë nuk arriti ta finalizojë me titull, por nuk u dorëzua. Në sezonin e dytë, gjithçka ndryshoi.

Më 4 maj 2026, Pogradeci shkroi historinë, duke u shpallur për herë të parë kampion i Shqipërisë në volejboll për femra. Në ndeshjen e pestë finale, pogradecaret triumfuan bindshëm 3-0 ndaj Tirana, duke vulosur një sezon të jashtëzakonshëm.

Por suksesi nuk u ndal me kaq. Gjatë këtij sezoni, Pogradeci fitoi edhe Ligën “Gjergj Kastrioti” dhe Kupën e Republikës, duke kompletuar një tripletë historike. Një qytet i tërë feston sot. Një trajner që nuk u dorëzua kurrë, arriti të realizojë ëndrrën e tij dhe të bëjë histori. Besnik Lisha dhe Pogradeci – tashmë kampionë, për herë të parë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments