Shkruar nga Endri ÇINARI
Në një sezon ku ambiciet për titull kanë qenë të qarta, Vllaznia po paguan shtrenjtë pikët e lëna ndaj skuadrave që luftojnë për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Shkodranët, që synonin dominim në përballjet me ekipet e fundit të tabelës, kanë dështuar të marrin maksimumin, duke komplikuar ndjeshëm rrugën drejt objektivave sezonalë.
Bilanci ndaj Bylis është një nga treguesit më të qartë të këtij problemi. Në katër përballje direkte, ballshiotët kanë arritur të marrin plot 7 pikë ndaj kuqebluve. Një barazim 1-1 dhe dy fitore, 2-1 dhe së fundmi 0-2, kanë ekspozuar dobësitë e Vllaznisë përballë një kundërshtari që në letër konsiderohej më i kalueshëm.
E njëjta situatë përsëritet edhe me Flamurtari, një tjetër skuadër e pozicionuar në fundin e renditjes, por që ka ditur të marrë maksimumin në momentet kyçe. Vlonjatët kanë siguruar 6 pikë ndaj shkodranëve, falë dy fitoreve minimale 1-0 në tre ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Një tregues i qartë se Vllaznia ka vuajtur për të gjetur zgjidhje përballë ekipeve që mbrohen fort dhe shfrytëzojnë rastet e pakta.
Në total, janë 13 pikë të humbura ndaj dy prej skuadrave më të dobëta të kampionatit, një shifër që peshon rëndë në një garë kaq të balancuar. Në një sezon ku çdo pikë ka vlerë të shumëfishtë, ky bilanc negativ jo vetëm që ul moralin e ekipit, por rrezikon seriozisht edhe pozicionimin në fund të fazës së rregullt.
Ky fenomen ngre pikëpyetje mbi qasjen e skuadrës në ndeshje të tilla, ku shpesh mungon përqendrimi dhe agresiviteti i nevojshëm. Ndërkohë që ndaj rivalëve direkt Vllaznia ka treguar potencial dhe konkurrueshmëri, ndaj ekipeve të fundtabelës ka lënë hapësira të pajustifikueshme, duke humbur avantazhe që mund të kishin bërë diferencën në renditje.
Me afrimin e fazës vendimtare dhe ndeshjeve të “Final 4”, këto 13 pikë të lëna pas mund të rezultojnë fatale në llogaritë e shkodranëve. Nëse synimi për titull mbetet ende i gjallë, atëherë reagimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe pa më gabime, sepse në këtë fazë të sezonit, çdo hap fals mund të kushtojë shumë më tepër se thjesht një ndeshje e humbur.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


