Negociatat për rinovimin e kontratës së Konrad Laimerit me Bayern Munich po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara, ndërsa një marrëveshje nuk duket ende afër.
Sipas raportimeve, çështja rrezikon të shndërrohet edhe në një “rast precedent” për bisedimet e ardhshme në klub, në një periudhë kur Bayerni po kërkon të vendosë kufij të qartë financiarë. Për situatën foli edhe presidenti i nderit i Bayernit, Uli Hoeness, i cili u tregua i drejtpërdrejtë në komentet e tij për DAZN.
“Kur lexon atë që thuhet se është shkruar për pagën dhe kërkesat e tij, duhet ta vendosësh në një kontekst realist. Konny është një lojtar që e vlerësoj shumë. Është i rëndësishëm për ekipin dhe imazhin e klubit, punon jashtëzakonisht shumë. Por ai nuk është Diego Maradona apo Harry Kane. Lojtarë të tillë duhet të pranojnë se ka kufizime të caktuara”, deklaroi Hoeness.
Hoeness theksoi se Bayerni tashmë po ofron kushte shumë konkurruese dhe se jo shumë klube në Evropë mund të paguajnë në nivelin aktual të mesfushorit austriak.
“Shumë pak klube në Evropë mund të ofrojnë atë që Laimer po fiton aktualisht. Nuk e di saktësisht çfarë i kanë ofruar Max Eberl dhe Christoph Freund, por sigurisht nuk është ajo që agjentët e tij kërkonin në fillim. Kjo lidhet me një vlerësim realist të vlerës së tij. Është e lartë, por ai nuk është Harry Kane”, shtoi ai.
Sipas informacioneve të publikuara, dallimi kryesor mes palëve është te pritjet financiare, Laimer thuhet se kërkon rreth 15 milionë euro në vit, rreth 5 milionë më shumë sesa oferta aktuale e Bayernit.
Drejtori sportiv Max Eberl e komentoi shkurt situatën pas ndeshjes ndaj Heidenheim: “Janë negociata normale. Ka mendime të ndryshme dhe nuk kemi marrëveshje për momentin. Nuk ka probleme apo atmosferë të keqe, vetëm dy palë që kërkojnë një gjuhë të përbashkët”.
Të njëjtin mesazh Eberl e kishte përsëritur edhe më herët, para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Atalantës.
“Ata kanë idetë e tyre, ne kemi tonat. Duhet të harmonizohen. Tani për tani nuk ka, por nuk është problem”, deklaroi ai.
Megjithatë, është e qartë se Bayern Munich nuk dëshiron të lëvizë nga politikat e reja financiare, sidomos pas rinovimeve të kushtueshme me lojtarë si Jamal Musiala, Dayot Upamecano dhe Alphonso Davies. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që klubi të heqë dorë nga rinovimi me Laimerin nëse kërkesat nuk ulen, për të dërguar një sinjal të fortë edhe për negociatat e ardhshme brenda skuadrës. /Telegrafi/


