Një incident serioz ka ndodhur në qendrën stërvitore të Real Madridit, ku Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni janë përfshirë në një përleshje fizike pas seancës stërvitore të së enjtes.
Sipas raportimeve të The Athletic, tensionet mes dy mesfushorëve kishin nisur që gjatë stërvitjes së të mërkurës, fillimisht si një debat verbal, përpara se situata të përshkallëzohej një ditë më vonë në dhomat e zhveshjes.
Raportohet se gjatë incidentit, Valverde ra në dysheme dhe goditi kokën në një tavolinë, çka bëri të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të stafit mjekësor.
Edhe Marca ka raportuar për ngjarjen, duke pretenduar se incidenti ka detyruar drejtuesit e klubit të mbajnë një “mbledhje emergjente krize”, ku ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i klubit, Jose Angel Sanchez.
Perez zhvillon bisedime urgjente me lojtarët
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është informuar menjëherë për situatën dhe ka zhvilluar bisedime direkte me të dy lojtarët për të dëgjuar versionin e tyre të ngjarjes.
“Kjo situatë po përfshin të gjithë në Real Madrid, menaxhmentin, stafin teknik, lojtarët dhe trajnerin”, deklaroi Romano.
“Florentino Perez është në dijeni të plotë të asaj që ka ndodhur dhe, sipas informacioneve që kam, ai ka folur tashmë me lojtarët”.
Romano shtoi se klubi e konsideron të papranueshme një situatë të tillë brenda skuadrës dhe se një nga arsyet që tensionet u përshkallëzuan ishte publikimi i lajmit për grindjen fillestare në media.
“Lojtarët nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën se si lajmi u publikua dhe kjo ndikoi që situata të vazhdonte edhe të enjten”, u shpreh ai.
Real Madridi pritet të marrë masa disiplinore
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë masat disiplinore që do të ndërmerren ndaj dy futbollistëve. /Telegrafi/


