Gola, shtylla, raste dhe në fund një triumf i vajzave kuqeblu në sfidën e javës së fundit të fazës së dytë të kampionatit, pikërisht ndaj ekipit të Gramshit. Kjo përballje është luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe është fituar nga Vllaznia me rezultatin e pastër 2-0.
Ndonëse kampionet në fuqi të vendit e kishin siguruar prej javësh vendin e parë, sërish ato kanë dashur t’i tregojnë njërit prej rivaleve të tyre se kush e meriton titullin kampion edhe këtë sezon. Në pjesën e parë, pavarësisht dominimit të Vllaznisë, nuk ka patur gola dhe si rrjedhojë dy ekipet i janë drejtuar dhomave të zhveshjes me rrjeta të paprekura.
Krejt ndryshe do të ndodhte në të dytën. Ekipi shkodran e rrit lojën e tij, merr mesfushën dhe krijon disa raste. Por goli i avantazhit do të vinte në minutën e 54-të kur mbrojtësja Arbiona Bajraktari pas një goditje këndi arrin ta dërgojë topin në rrjetën e portës kundërshtare. Kaq do të mjaftonte që në fushë më pas do të ishte vetëm Vllaznia. Në minutën e 67-të do të ishte Megi Doçi që nga një goditje dënimi do të realizonte një kryevepër.
Po kjo futbolliste pak minuta më vonë pas një aksioni shumë të bukur, me një gjuajtje me të djathtën nga jashtë zone, do të trondiste portën gramshiote. Rastet vijojnë deri në fund por nuk do të kishte gola të tjerë. Përfundimisht 2-0 për Vllazninë që e mbyll fazën e dytë të kampionatit në kuotën e 46 pikëve, e ndjekur nga Apolonia me 38, Gramshi 35 dhe Teuta 31.
Këto katër skuadra do të luajnë tashmë në “Final 4” për të synuar fitimin e titullit kampion dhe padyshim që Vllaznia me formën që ka treguar deri tani është favoritja kryesore për fitimin e titullit, që do të ishte i 13-ti rradhazi për të. Shorti i gjysmëfinaleve do të hidhet në fillim të javës së ardhshme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


