Shkruar nga Endri ÇINARI
Në javën e 36-të të kampionatit, sfida mes Partizanit dhe Dinamos solli minutat e para sezonale për portierin shkodran Tomas Kiri. 21-vjeçari mbrojti portën e Dinamos në humbjen 2-1, në një ndeshje ku rezultati kishte pak rëndësi për objektivat e të dy skuadrave.
Përtej disfatës, aktivizimi ndaj Partizanit ishte një moment i rëndësishëm për Kirin, i cili mori besimin e stafit teknik në javët e fundit të kampionatit. Portieri shkodran tregoi qetësi dhe siguri në minutat e tij të para këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar.
Me këtë aktivizim, Tomas Kiri bëhet një tjetër futbollist shkodran që luan në Superiore gjatë këtij sezoni, duke vijuar traditën e qytetit në prodhimin e talenteve. Në moshën 21-vjeçare, ai konsiderohet një portier me perspektivë për të ardhmen e futbollit shqiptar.
Për një portier të ri, çdo minutë në elitë ka vlerë të veçantë dhe ndeshje të tilla shërbejnë si eksperiencë e rëndësishme për vazhdimësinë e karrierës. Te Dinamo pritet që Kiri të jetë pjesë e projektit edhe në sezonet e ardhshme të bluve në elitën e futbollit tonë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


