Vllaznia është e fokusuar maksimalisht tek ndeshja e së shtunës ndaj Dinamos, me të cilën do të startojë edhe ndeshjet e fazës “Final 4”, të asaj që do të vendosë edhe fatin përfundimtar të këtij kampionati. Kuptohet që objektivi është një dhe i vetëm: Fitimi i titullit kampion.
Por kuptohet që nuk do të jetë e lehtë. Presioni mbi skuadrën në fakt është i madh edhe për faktin se e njëjta situatë ishte edhe një sezon më parë, por kuqeblutë dështuan në finale. Sivjet gjërat po merren më shtruar dhe drejtuesit e klubit si dhe stafi teknik janë duke i qëndruar shumë pranë futbollistëve.
Madje për t’i lënë ata sa më të qetë, kanë vendosur që ta largojnë skuadrën nga Shkodra. Për këtë arsye pasditen e sotme Vllaznia ka marrë rrugën drejt pikës doganore të Muriqanit dhe më pas drejt Ulqinit, për t’u sistemuar atje në një nga hotelet e qytetit bregdetar.
Kuqeblutë do të stërviten atje nesër dhe pasnesër dhe më pas do të marrin rrugën drejt Tiranës, aty ku pasditen e së shtunvs do të ndeshen me Dinamon dhe ku padyshim që do të synojnë fitoren, për ta nisur mbarë “Final 4”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


