Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të sfidës së shumëpritur ndaj Dinamos në fazën “Final 4”, atmosfera në kampin e KF Vllaznia duket më pozitive se kurrë. Kuqeblutë po hyjnë në momentin më të rëndësishëm të sezonit me grupin pothuajse të plotë dhe me një gjendje fizike optimale të futbollistëve. Në këto ditë vendimtare, stafi teknik i drejtuar nga Edi Martini po përgatit sfidën detaje.
Shkodranët duken të kompletuar, ndërsa stafi teknik po merr sinjale pozitive nga grupi vetëm pak ditë përpara sfidës që mund të përcaktojë fatin e kampionatit. Gjendja fizike e futbollistëve konsiderohet optimale dhe kjo i jep më shumë alternativa trajnerit Martini për të ndërtuar formacionin ideal.
Një lajm mjaft i rëndësishëm për kuqeblutë është rikthimi i disa prej elementëve kryesorë që kishin munguar në javët e fundit. Esat Mala, Bajrami dhe Dodaj janë tashmë të gatshëm dhe do të jenë në dispozicion për sfidën ndaj dinamovitëve. Rikthimi i tyre shton jo vetëm cilësinë në repartet respektive, por edhe konkurrencën brenda skuadrës, një element që në ndeshje të tilla mund të bëjë diferencën.
Në kampin shkodran këtë herë nuk ka shqetësime as sa i përket pezullimeve, një faktor që shpesh gjatë sezonit ka penalizuar ekipin. Martini pritet të ketë në dispozicion pothuajse të gjithë organikën dhe kjo konsiderohet një avantazh i rëndësishëm në prag të një dueli ku çdo detaj mund të rezultojë vendimtar. Për më tepër, atmosfera në grup raportohet mjaft e mirë, me futbollistët që po e përjetojnë me entuziasëm këtë moment të sezonit.
Mungesat e vetme që njihen prej kohësh mbeten ato të Kastrati dhe Bismark. Për Kastratin ka shpresa konkrete që rikthimi i tij të ndodhë gjatë muajve shtator-tetor, ndërsa situata e Bismark vazhdon të mbetet më e ndërlikuar. Edhe pse trajneri Martini ka shfaqur optimizëm në deklaratat e tij të fundit, sulmuesi ganez duket se e ka thuajse të pamundur të japë kontribut në këtë fazë finale të edicionit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre mungesave, te Vllaznia besojnë se grupi aktual ka forcën dhe eksperiencën për të përballuar presionin e “Final 4”. Shkodranët synojnë të shfrytëzojnë momentin pozitiv dhe të hedhin një hap të madh drejt objektivit madhor, ndërsa tifozët kuqeblu presin që skuadra të tregojë karakterin dhe personalitetin që e ka shoqëruar gjatë gjithë sezonit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


