Thursday, May 14, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDuelet e 'Final 4', Vllaznia me një 'armë' plus

Duelet e ‘Final 4’, Vllaznia me një ‘armë’ plus

Shkruar nga Endri ÇINARI

Tifozeria e Vllaznisë pritet të jetë një nga pikat më të forta të skuadrës shkodrane në sfidën e parë të “Final 4” ndaj Dinamos, takim që do të luhet këtë të shtunë në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për duelin e parë nga tre përballjet e fazës finale, interesi në qytetin e Shkodrës duket të jetë në nivele shumë të larta, me tifozët kuqeblu që po organizohen për të mbështetur ekipin në kryeqytet.

Atmosfera entuziaste është ndier gjatë gjithë javës, teksa grupimet e tifozëve dhe mbështetësit e shumtë të Vllaznisë kanë nisur mobilizimin për të qenë të pranishëm në numër të konsiderueshëm në tribunat e stadiumit. Besimi te skuadra dhe ëndrra për rikthimin e titullit kampion në Shkodër kanë bërë që optimizmi të jetë i madh, ndërsa pritet që ngjyrat kuqeblu të dominojnë në një pjesë të mirë të shkallëve të impiantit kombëtar.

Mbështetja e tifozërisë ka qenë një element shumë i rëndësishëm për Vllazninë gjatë gjithë këtij sezoni. Jo vetëm në ndeshjet e luajtura në Shkodër, por edhe në transfertat më të vështira, skuadra ka pasur gjithmonë pranë mbështetjen e pakushtëzuar të tifozëve të saj. Këngët, koreografitë dhe atmosfera e krijuar nga tifozët kuqeblu kanë qenë shpesh një shtysë ekstra për futbollistët në fushën e lojës.

Në prag të fazës më të nxehtë të sezonit, prania e tifozëve merr një rëndësi edhe më të madhe. Përballë një kundërshtari si Dinamo, në një ndeshje që mund të ketë peshë vendimtare për vazhdimësinë e rrugëtimit drejt titullit, skuadra shkodrane synon të ndiejë edhe një herë forcën e tribunave. Në kampin kuqeblu besohet se mbështetja masive mund të jetë një armë plus dhe një faktor shtesë motivimi për ekipin në fushë.

Shpresa për titullin kampion vazhdon të mbetet e gjallë te tifozët e Vllaznisë, të cilët duken të vendosur ta ndjekin skuadrën deri në minutën e fundit të kampionatit. Pritet që e shtuna në mbrëmje të sjellë një atmosferë të zjarrtë në “Air Albania”, me tifozërinë shkodrane që kërkon të japë sinjalin e parë të madh në mbështetje të ëndrrës kuqeblu për rikthimin tek titulli kampion.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments