Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Në një takim të zgjeruar me aktorët kryesorë të futbollit në Lezhë, është konfirmuar për vazhdimësinë angazhimi për mbështetje konkrete ndaj këtij sporti në të gjitha nivelet. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, si dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, të cilët theksuan se investimet do të fokusohen në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe në zhvillimin e aktiviteteve për futbollin amator dhe profesionist.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ekipit të Besëlidhjës, që së fundmi është ngjitur në Kategorinë e Parë. Presidenti i klubit, Pjerin Fushaj, deklaroi se objektivi është ngjitja në Superligë, duke kërkuar njëkohësisht më shumë mbështetje për përmirësimin e kushteve infrastrukturore.
Nga ana tjetër, drejtuesi i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Kristjan Gjidodaj, nënvizoi se Lezha renditet ndër zonat me prodhimin më të lartë të futbollistëve në vend, në raport me popullsinë.
Ky bashkëpunim mes institucioneve dhe aktorëve të sportit shihet si një hap pozitiv për rikthimin e Lezhës në nivele më të larta të futbollit shqiptar, duke u mbështetur në traditën e saj të hershme në këtë disiplinë


