Ndryshe nga ekipi i meshkujve që “e çoi dëm” ndeshjen e parë të “Final 4”, ai i femrave të Vllaznisë nuk mund t’ia lejonte vetes një gjë të tillë dhe si rrjedhojë ka triumfuar me rezultatin 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të kampionatit, atë ndaj ekipit të Gramshit të luajtur pasditen e sotme në Arbanë të Tiranës.
Në pjesën e parë, pavarësisht rasteve të krijuara nuk do të kishte gola dhe si rrjedhojë dy ekipet iu drejtuan dhomave të zhveshjes me të njëjtin rezultat me të cilin kishin zbritur në fushë. Në fillimin e së dytës stafi teknik i Vllaznisë bën lëvizjen e parë duke larguar nga loja futbollisten Cartaman dhe në vend të saj do të aktivizohej Klaudia Borci.
Do të ishte po kjo futbolliste e cila në minutën e 60-të do të zhbllokonte shifrat duke e dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Hyska. Pas këtij momenti, do të kishte të tjera për të dyfishuar shifrat, por të pakonkretizuara dhe si rrjedhojë gjithçka është mbyllur me avantazhin e ngushtë 1-0 në favor të skuadrës së drejtuar nga trajneri Nikolin Leka.
Ndeshja e dytë dhe e fundit e turit gjysmëfinal, luhet javën tjetër në Shkodër dhe sigurisht që Vllaznia është shumë pranë kalimit në finale. Megjithatë janë edhe 90 minuta për t’u luajtur dhe vajzat kuqeblu do ta vlerësojnë maksimalisht edhe atë. Objektivi i tyre është i qartë: Të fitojnë titullin e 13-të kampion dhe tashmë kanë mbetur edhe vetëm dy pengesa për t’u kaluar.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


