Monday, May 18, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDueli i dytë i 'Final 4', Vllaznia pritet me ndryshime

Dueli i dytë i ‘Final 4’, Vllaznia pritet me ndryshime

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas humbjes në ndeshjen e parë të “Final 4”, tek Vllaznia priten lëvizje të rëndësishme për sfidën e dytë ndaj Egnatias. Skuadra shkodrane duket e detyruar të ndërhyjë jo vetëm për shkak të rezultatit të takimit të parë, por edhe për mungesat dhe formën e disa lojtarëve që nuk arritën të japin atë që pritej në fushë fundjavën e kaluar. Trajneri pritet të bëjë ndryshime si në formacion, ashtu edhe në mënyrën e interpretimit të lojës.

Një nga mungesat më të rëndësishme do të jetë ajo e Melos Bajrami, i cili nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë pas kartonit të kuq të marrë pikërisht ndaj Egnatias. Pezullimi i tij pritet të sjellë ndryshime në repartin mbrojtës, aty ku kuqeblutë kanë pasur vështirësi edhe në menaxhimin e momenteve të lojës gjatë javëve të fundit. Në stafin teknik po shqyrtohen alternativa të ndryshme për të mbuluar mungesën e tij.

Ndërkohë, paraqitja e disa titullarëve në takimin e parë nuk ka bindur. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që disa lojtarë të nisin nga stoli, ndërsa minuta mund t’u besohen futbollistëve që kanë pasur më pak hapësira në javët e fundit. Qëllimi i stafit duket të jetë rritja e ritmit dhe agresivitetit në lojë, elementë që kanë munguar në ndeshjet e fundit të kampionatit.

Përtej emrave, duket se një rishikim do të ketë edhe skema e lojës së Vllaznisë. Skuadra është shfaqur shpesh e lexueshme nga kundërshtarët dhe me pak rrezikshmëri në fazën sulmuese. Lëvizjet kanë qenë të parashikueshme, ndërsa ndërtimi i aksioneve ka hasur vështirësi përballë skuadrave që mbrohen mirë dhe ushtrojnë presion në mesfushë. Pikërisht këto elementë pritet të analizohen me kujdes para përballjes së ardhshme.

Ndeshja e dytë e “Final 4” konsiderohet vendimtare për vazhdimësinë e objektivave të shkodranëve këtë sezon. Për të dhënë një reagim bindës dhe për të mbajtur gjallë pretendimet për titullin kampion, Vllaznia duket se do të paraqitet me një tjetër qasje në fushë. Ndryshimet pritet të jenë të dukshme që nga minuta e parë, në përpjekje për të rikthyer besimin dhe për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Egnatias.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments