Shkruar nga Namik MEHMETI
Ish-futbollisti i kombëtares italiane të futbollit, Antonio Cassano, ka dhënë një intervistë të fortë në emisionin “Viva el Futbol”, ku ka kritikuar ashpër futbollin italian në prag të 2026 FIFA World Cup.
Sipas Cassanos, futbolli italian duhet të ndryshojë mentalitet dhe të ndjekë modelin e klubeve si Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich.
“Kater trajnerët më të mirë sot janë Cristian Chivu, Antonio Conte, Gian Piero Gasperini dhe Cesc Fàbregas. Dy janë të rinj, njëri është 67 vjeç, ndërsa Conte është evoluar shumë vitet e fundit. Kjo do të thotë se drejtimi që duhet të marrë futbolli italian është ai i PSG-së dhe Bayernit. Duhet të synojmë të arrijmë në atë nivel”,- u shpreh ai.
Cassano rezervoi fjalë të mëdha për Fàbregasin:
“Futbollin më të bukur e luajti Fàbregas. Ai thotë: ‘Tani ndihem italian, ndihem i dashur në Itali’. Problemi është se shumë gazetarë dhe njerëz të paaftë kanë folur keq për të dhe kanë shpresuar që ai të dështonte. Në vend që ta falënderonin për atë që solli në Itali, ata e sulmuan”.
Ish-sulmuesi italian kritikoi edhe legjendën Fabio Cannavaro:
“Cannavaro thotë se kemi humbur shpirtin e sakrificës dhe vuajtjes, por ndërkohë ai stërvit në Uzbekistan”.
Në fund, Cassano dha edhe mesazhin e tij për mënyrën se si duhet parë futbolli:
“Unë dua të shoh ndeshje si UEFA Champions League me rezultate 5-4 si PSG-Bayern, jo ndeshje si Milan-Juve që mbarojnë 0-0”,- përfundoi ai.
NAMIK MEHMETI
FIRENZEv


