Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka nisur planifikimin e detajuar të fazës përgatitore në prag të pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Pas mbylljes së sezonit, drejtuesit kuqeblu kanë përqendruar vëmendjen jo vetëm te merkatoja, por edhe te organizimi i periudhës stërvitore, e konsideruar vendimtare për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri.
Një pjesë e futbollistëve pritet të rikthehen nga pushimet këtë të hënë, kur do të nisë zyrtarisht edhe puna për aventurën europiane. Gjatë javëve të para, stërvitjet do të zhvillohen në Shkodër, ndërsa paralelisht po punohet për organizimin e një grumbullimi jashtë vendit. Sipas informacioneve të siguruara nga “Shkodra Sport”, alternativa më e mundshme për zhvillimin e fazës përgatitore është Sllovenia.
Ky opsion është diskutuar gjerësisht në ambientet e klubit dhe aktualisht mbetet zgjedhja kryesore e stafit teknik të drejtuar nga trajneri Edi Martini. Stafi teknik ka hartuar programin e punës sipas kërkesave dhe metodologjisë që synon të aplikojë në përgatitjen e skuadrës, ndërsa drejtuesit po shqyrtojnë të gjitha detajet logjistike për realizimin e këtij grumbullimi.
Megjithatë, vendimi përfundimtar ende nuk është zyrtarizuar. Në ditët në vijim pritet të ketë më shumë qartësi, ndërsa shumë shpejt mund të vijë edhe konfirmimi zyrtar për destinacionin e fazës përgatitore. Deri atëherë, fokusi kryesor i Vllaznisë mbetet ndërtimi i skuadrës dhe krijimi i kushteve optimale për përfaqësimin në Kupat e Europës dhe sezonin e ri futbollistik.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


