Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia pritet të ketë një verë mjaft intensive në merkato, teksa një nga repartet që kërkon ndërhyrje të menjëhershme është padyshim mbrojtja. Pas përfundimit të sezonit 2025-26, kuqeblutë janë përballur me disa largime të rëndësishme në prapavijë, çka ka bërë që drejtuesit të kenë përpara një punë të konsiderueshme për të rindërtuar repartin defensiv.
Një nga emrat që momentalisht konsiderohet jashtë skuadrës është Elmando Gjini. Mbrojtësi i qendrës mbylli periudhën e huazimit nga Ballkani dhe deri tani nuk është arritur një marrëveshje e re mes klubeve për vazhdimin e bashkëpunimit. Në këto kushte, shtatlarti nuk bën pjesë në planet aktuale të Vllaznisë, duke lënë një boshllëk të rëndësishëm në qendër të mbrojtjes.
Po ashtu, drejt largimit duket edhe Melos Bajrami. Kontrata e mbrojtësit me kuqeblutë ka përfunduar dhe gjithçka të çon drejt një ndarjeje mes palëve. Futbollisti prej kohësh shihet si një nga lojtarët që mund të provojë një eksperiencë jashtë Shqipërisë dhe interesimi nga tregje të huaja e bën gjithnjë e më të mundshëm largimin e tij nga Shkodra.
Edhe më problematike paraqitet situata në krahun e majtë të mbrojtjes. Kuros, Jago dhe Hakaj kanë mbyllur përfundimisht aventurën e tyre me Vllazninë, duke lënë plotësisht të zbuluar atë sektor. Nëse deri pak muaj më parë konkurrenca në atë pozicion ishte e konsiderueshme, sot stafi teknik duhet të mendojë për zgjidhje të reja, pasi aktualisht mungojnë alternativat natyrale në atë krah.
Në fakt, duke parë përbërjen aktuale të organikës, numri i mbrojtësve të konfirmuar është shumë i kufizuar. Nga prapavija e sezonit të kaluar, nën kontratë zyrtare me klubin vazhdojnë të jenë vetëm Gurishta, Pusi dhe Çelikoviç. Një situatë që e bën të qartë se merkatoja e verës për Vllazninë do të nisë pikërisht nga mbrojtja.
Me fillimin e përgatitjeve verore që nuk është larg, drejtuesit kuqeblu nuk kanë shumë kohë në dispozicion. Përpara se skuadra të hyjë në fazën intensive të stërvitjes, afrimi i disa mbrojtësve duket një domosdoshmëri. Qoftë në qendër apo në krahë, Vllaznia ka nevojë për përforcime të menjëhershme, në mënyrë që trajneri Edi Martini të nisë ndërtimin e ekipit të ri mbi baza më të qëndrueshme dhe me alternativa të mjaftueshme në repartin defensiv.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


