Shkruar nga Endri ÇINARI
E ardhmja e Tomas Kirit do të vazhdojë të jetë e lidhur me Dinamon. Portieri shkodran ka rinovuar zyrtarisht kontratën me klubin kryeqytetas, duke firmosur një marrëveshje të re me formulën 2+1. Kjo do të thotë se 21-vjeçari do të jetë pjesë e bluve edhe për dy sezonet e ardhshme, ndërsa ekziston edhe mundësia e një viti shtesë, në varësi të vendimit që do të marrin palët në vijim.
Bëhet fjalë për një rinovim që konfirmon besimin e drejtuesve dinamovitë te një nga portierët e rinj më premtues të futbollit shqiptar. Edhe pse konkurrenca në repartin e portës ka qenë e fortë dhe minutat në dispozicion nuk kanë qenë të shumta gjatë sezonit 2025-26, Kiri ka ditur të shfrytëzojë çdo mundësi që i është dhënë.
Në ndeshjet ku është aktivizuar, gardiani shkodran ka treguar siguri, qetësi dhe personalitet, cilësi që vlerësohen maksimalisht për një portier të ri. Pavarësisht moshës së tij, ai ka dhënë sinjale pozitive sa herë ka zbritur në fushë, duke dëshmuar se zotëron potencialin për të qenë një emër i rëndësishëm në të ardhmen.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga stafi teknik dhe drejtuesit e klubit, të cilët kanë vendosur të investojnë sërish te shkodrani. Rinovimi i kontratës është një tregues i qartë se Dinamo e konsideron Kirin një projekt afatgjatë dhe një element mbi të cilin mund të ndërtohet për vitet në vazhdim.
Për vetë portierin, kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë. Tashmë sfida e radhës do të jetë fitimi i më shumë hapësirave në formacion dhe vazhdimi i rritjes profesionale. Me besimin e klubit në krah dhe me cilësitë që ka shfaqur deri tani, Tomas Kiri duket i destinuar të mbetet një emër për t’u ndjekur me vëmendje në futbollin shqiptar.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


