Tjetër paraqitje e mirë e notarëve të Vllaznisë. Këtë herë në “Teuta Cup”, aktivitet që u zhvillua këtë fundjavë në Durrës me pjesmarrjen e notarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Turqia, me gjithsej 307 sportistë pjesëmarrës.
Vllaznia u përfaqësua nga notarët Viki Tafrruku, Joel Golemi, Skerdi Kroni, Klea Dedi, Herta Mimaj, Melodi Mimaj, Ajten Zaja, Adriel Marku, Kean Tafili dhe Dean Vajushi.
Sportistët e Vllaznisë u perfaqësuan në 39 disiplina duke përmirësuar të gjithë rekordet e tyre personale dhe duke fituar 20 medalje: 10 medalje ari, 7 argjendi dhe 3 bronzi. Këto rezultate bënë të mundur që ekipi i Vllaznisë të shpallet ekipi i tretë më i mirë i Kupës “Teuta”.
Joel Golemi fitoi vendin e parë në të gjitha disiplinat ku garoi: 50 m dhe 100 m stil i lirë, 50 m shpinë dhe 50 m delfin, duke u shpallur sportisti më i mirë i moshës së tij (Kategoria E).
Viki Tafrruku garoi në disiplinat 200 m dhe 400 m stil i lirë, ku fitoi vendin e parë në Kategorinë C dhe vendin e dytë në Kategorinë Open. Në disiplinën 800 m stil i lirë, ajo fitoi vendin e dytë në Kategorinë Open. Në disiplinën 100 m stil i lirë, Viki u rendit e para në Kategorinë Open, duke regjistruar edhe kohën më të mirë të kampionatit në këtë disiplinë. Për paraqitjen e saj të shkëlqyer, Viki Tafrruku u shpall sportistja e dytë më e mirë e Kategorisë C.
Skerdi Kroni fitoi vendin e parë në disiplinat 50 m stil i lirë dhe 200 m stil i lirë, vendin e dytë në 50 m delfin dhe vendin e tretë në 50 m shpinë dhe 100 m stil i lirë. Klea Dedi fitoi vendin e dytë në disiplinat 50 m dhe 100 m shpinë, si dhe në 100 m stil i lirë, ndërsa u rendit e treta në disiplinën 50 m stil i lirë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


