Shkruar nga Endri ÇINARI
Pas katër sezonesh të mbushura me emocione, ndeshje të rëndësishme dhe paraqitje si protagonist, aventura e Esat Malës me Vllazninë ka mbërritur në fund. Mesfushori nuk do të jetë më pjesë e kuqebluve në sezonin e ardhshëm, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij në Shkodër. Gjatë këtyre viteve, ai u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke fituar besimin e trajnerëve dhe vlerësimin e tifozëve.
Mala ishte një prej elementëve më të qëndrueshëm në repartin e mesfushës, duke spikatur për angazhimin, eksperiencën dhe aftësinë për të mbajtur ekuilibrat e skuadrës. Në shumë sfida ai rezultoi vendimtar, ndërsa kontributi i tij në ecurinë e Vllaznisë gjatë viteve të fundit ka qenë i padiskutueshëm. Pikërisht për këtë arsye, largimi i tij konsiderohet si një humbje e rëndësishme për ekipin shkodran.
Megjithatë, karriera e futbollistit pritet të vazhdojë në Superiore. Gjithçka të çon drejt Durrësit, aty ku Teuta ka lëvizur me shpejtësi për të siguruar shërbimet e mesfushorit. Burime pranë negociatave bëjnë me dije se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për aspektin ekonomik, duke hedhur bazat e marrëveshjes që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt.
Drejtuesit e klubit durrsak e shohin Malën si një futbollist që mund t’i japë menjëherë cilësi dhe eksperiencë skuadrës. Teuta është në proces rindërtimi dhe afrimi i një lojtari me eksperiencën e fituar në elitën e futbollit shqiptar shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e grupit. Vetë futbollisti duket i bindur për projektin që i është paraqitur dhe ka dhënë miratimin për kalimin në Durrës.
Ndërkohë, largimi i Malës shtohet në listën e futbollistëve që kanë mbyllur bashkëpunimin me Vllazninë gjatë kësaj vere. Kuqeblutë po kalojnë një periudhë me ndryshime të shumta në organikë, ndërsa drejtuesit janë të angazhuar për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri. Në këtë panoramë, ndarja me një prej figurave më të rëndësishme të viteve të fundit shënon fundin e një epoke të vogël në mesfushën shkodrane, ndërsa Esat Mala bëhet gati të nisë një sfidë të re me fanellën e Teutës.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


